Papa Françesku apelon për paqe

31/03/2013 00:00

Mbi 250 mijë besimtarë mbushën Sheshin Shën Pjetër për të marrë pjesë në meshën e parë të Pashkëve të mbajtur nga Papa Françesku. Përpara se të shkonte në altarin qëndror të Bazilikës, ai shkoi mes besimtarëve në shesh për të përshëndetur nga afër sa më shumë prej tyre.

I veshur thjesht me të bardhë edhe sot, ai përshëndeti vëllezërit dhe motrat duke u uruar Pashkët. Në këtë ditë kaq të rëndësishme për fenë katolike, gjatë së cilës ajo përkujton ringjalljen e Krishtit, Shenjtëria e tij solli sërish një mesazh shprese dhe bëri një thirrje të fortë për paqe, për paqe në të gjithë botën, siç u shpreh ai.

“Paqe për Lindjen e Mesme dhe veçanërisht mes Izraelitëve dhe Palestinezëve që po luftojnë për të gjetur rrugën e marrëveshjes, të cilët duhet me vullnet dhe kurajo të nisin negociatat për t’i dhënë fund një konfliktit që ka zgjatur shumë. Paqe në Irak, që çdo akt dhune të marrë fund dhe mbi të gjitha për Sirinë e dashur, për njerëzit e copëtuar nga konflikti dhe për të gjithë refugjatët që presin ndihmë dhe ngushëllim. Për Afrikën, ku konfliktet trishtueshëm vazhdojnë. Paqe në Azi, mbi te gjitha në Gadishullin Korean, ku mosmarrëveshjet duhet të tejkalohen dhe të shtohet shpirti i ripërtërirë i pajtimit”, apeloi Ati i Shenjtë.

Papa Horge Bergoglio përsëriti dhe një herë të varfërit e të mënjanuarit, të burgosurit e të sëmurët. Ai bëri një thirrje të fortë kundër trafikimit të njerëzve që e cilësoi si skllavërinë më të përhapur në shekullin tonë. Ai theu traditën e bekimit në shumë gjuhë që me këtë rast bëhet tradicionalisht nga Papa në mbi 60 gjuhë të botës.

Me këtë meshë Papa Françesko mbyll celebrimet e Pashkëve, tetëmbëdhjetë ditë pas zgjedhjes së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA