
Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, është goditur me vezë në qytetin e Elbasanit, nga një person ende i paidentifikuar.
Incidenti ndodhi menjëherë pas përfundimit të tubimit, që u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa Spahiu ka qenë ende në podium pas mbarimit të fjalës, kur është goditur me vezë.
Por Aleanca Kuqezi akuzoi policinë, e cila sipas saj, megjithëse ishte e
pranishme në tubim, nuk ndërhyri për të parandaluar incidentin.
Uniformat blu nga ana e tyre u përgjigjen se tubimi i AK-së nuk kishte
marrë lejen prej tyre.
Policia e Elbasanit shton se kërkesa për dhënien e lejes mbërriti në
zyrat e saj vetëm ditën e shtunë dhe se ishte e pamundur dhënia e lejes
pasi në qytet kishte aktivitete paralele.
AK reagoi duke thënë se nuk kishte asnjë aktivitet paralel në Elbasan
dhe se leja për zhvillimin e tubimit ishte dorëzuar në policie dy javë
më parë.
Para se personi të shoqërohej në polici, ishin mbështetësit e Aleancës Kuqezi, që e ndaluan atë.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij përpara incidentit, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, bëri thirrje për rrëzimin e kryeministrit Berisha, përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, në tubimin e 7 prillit në Tiranë.
“E dini se çfarë ka ndodhur. Ata kanë punësuar njerëz për t’iu numëruar paratë, sepse kanë aq parà, sa për të punësuar njerëz për të numëruar paratë e tyre, në malet e tufat e parave, që nuk dihet nga vijnë, por dimë shumë mirë se janë parà gjaku, paratë e shqiptarëve. Ata po i ndajnë zarf më zarf, me 10 mijë leksha, për t’i shkuar çdo shqiptari e për t’i thënë ‘Votoni e na mbani sërish në pushtet’. Ndërsa ne do shkojmë në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë, për t’iu thënë se, kur t’iu vijë zarfi i shtetasit Berisha, merrjani por votoni Kuqezi, se janë paratë e popullit, janë parà gjaku, s’janë paratë e tij”, tha Spahiu.
Kreshnik Spahiu tha se 7 prilli nuk do të jetë një tjetër 21 janar, por një protestë paqësore, që synon rrëzimin e kryeministrit.
Aktiviteti i AK-së zhvillohej në kuadër të manifestimeve të kësaj force politike ku kërkon mbështetjen e qytetarëve për tubimin e madh të parashikuar më 7 prill për largimin e kryeministri Berisha, që AK thotë se duhet të ikë para zgjedhjeve në mënyrë që ato të jenë të lira e të ndershme.
Top Channel