Ahmedi është tetë vjeç. Është shumë i vogël për të mbajtur peshën e kallashnikovit. Është një fëmijë ushtar. Lëviz nëpër rrugët e Alepit në Siri dhe lufton mes rrënojave të qytetit.
Historia e tij e tmerrshme është rrëfyer përmes një video të publikuar nga e përditshmja britanike “Telegraph”. Ajo nis me humbjen e prindërve dhe ndërsa i kujton ata ndez një cigare.
Intervista e tij është një nga më shokueset, në dy vitet e konfliktit në Siri, që sot numëron mbi 70 mijë viktima. Vogëlushi Ahmed tregon se prindërit u vranë nga një mortajë në lagjen Salahedin, ku i ati luftonte krah pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë së Lirisë Siriane.
I vetmi njeri i afërt, që i ka mbetur, është xhaxhai, një kryengritës, që 8-vjeçari Ahmed e ndjek këmba-këmbës. “Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër – tregon ai. – S’ka më shkollë, prindërit më vdiqën, çfarë mundësish të tjera më mbeten?”.
Por, historia e Ahmedit nuk është e vetmja. Sipas raportit të fundit të organizatës “Human Rights Watch” janë qindra fëmijë, që luftojnë në qytetet siriane, të stërvitur për të marrë pjesë në luftë. Janë 13-14 vjeç dhe ndihmojnë grupet opozitare, me misione rikonjicioni apo kontrabande armësh.
Nëse dikur loja e preferuar e Ahmedit, dhe ndoshta shumë bashkëmoshatarëve të tij, ishte të bënte xhiro me biçikletë, sot është ajo e të qenit një ushtar. Në shpirt i rëndon dhimbja e mbi shpatulla arma vrasëse.
Top Channel