“Little french songs” është albumi i ri i Carla Bruni-t, që ka bërë të flasë për shkak të disa teksteve të këngëve në përmbajtjen e tij, në shitje nga fillimi i prillit.
Mesazhe shpotitëse nga zëri i ëmbël i bashkëshortes së ish-presidentit francez Sarkozy. “Hollywood Reporter” citon këngën “The penguin”, ku Bruni e përdor si nofkë pinguinin, për të përshkruar dikë që është i veshur shkëlqyeshëm, por që lë për të dëshiruar në mënyrën e të sjellurit.
Kjo këngë është interpretuar si një sulm i sofistikuar ndaj presidentit aktual Francois Hollande, pavarësisht se ajo vetë e ka mohuar këtë. “Hiqet si mbret, por unë e di se pinguini nuk ka mënyrën e të bërit të një Lordi”, – thotë Carla Bruni, në një nga vargjet e këngës.
Ditën që ajo dhe Sarkozy u larguan nga Pallati Elysee, thuhet se ajo u ofendua nga fakti se Hollande nuk i shoqëroi në dalje, ashtu siç e do tradita, por presidenti aktual, në atë moment, qëndroi në kopështin e pallatit, duke bërë foto.
Kënga vazhdon me vargjet: “Pinguin, dukesh shumë i vetmuar në kopësht. Nëse një ditë do të kalosh nga rruga ime, do të të mësoj si të më puthësh dorën”.
Dalja e albumit të katërt të Bruni-t, po përkon me situatën e vështirë që po kalon bashkëshorti i saj Sarkozy, nën hetim për përfitim financiar nga fondet, që mori gjatë fushatës elektorale të 2007-ës.
Akuza, të cilat ish-modelja i ka hedhur poshtë, duke i quajtur si të paimagjinueshme. Një këngë ajo ia dedikon edhe të shoqit. Te vargjet e “Mon Raymond”, Bruni këndon: “Çfarëdo që të thonë budallenjtë, Raymond është dinamit”.
Top Channel