Stanishev, apel PS e LSI: Bashkohuni

30/03/2013 20:20

Kur partitë politike shqiptare janë përfshirë nga ethet elektorale, socialistët europianë lëshojnë mezashe të forta për bashkimin e së majtës në Shqipëri. Presidenti Partive Socialiste Europiane, Sergei Stanishev dërgon një apel të fortë për Edi Ramën dhe Ilir Metën, që të fitojnë zgjedhjet së bashku.

Presioni i të majtëve europianë shtohet edhe më shumë kur Stanishev nuk nguron të këshillojë Ramën dhe Metën që të tejkalojnë diferencat e shfaqura ndër vite, kjo në emër të fitores së të majtës shqiptare. Me zotin Stanishev bisedoi gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

TCH: Shqipëria do të mbajë zgjedhje më 23 qershor. Partitë e majta mund të shkojnë të ndara në këto zgjedhje. Si president i PES, çfarë do t’u sugjeronit partive të majta shqiptare?

Stanishev: Po ndjekim nga afër situatën në Shqipëri. Kemi qenë me mision së bashku me miq të tjerë të Internacionales. Së shpejti do të bëjmë një konferencë për çështjet e integrimit. Bashkimi është fjala kryesore për zgjedhjet. E di që situata ekonomike e sociale është e rëndë, papunësia është 17%, të papunë janë 1 milion shqiptarë, pa të ardhme, pa para për familjet e tyre. Është misioni më i madh për forcat progresive të Shqipërisë të bashkohen e të propozojnë një alternativë ekonomike e vlefshme për perspektiven e vendit. Dy partitë kryesore të së majtës, PS e Ramës dhe LSI e Metës, duhet të lënë mënjanë vizionet e vjetra e të bashkohen në emër të perspektivës së re progresiste.

TCH: Edi Rama po drejton Partinë Socialiste që prej 8 vjetësh, Meta 4 vjet në pushtet me qeverinë, si mund t’u kalojnë këto diferenca në prag të zgjedhjeve, kur dihet mirë që bashkëpunimi i këtyre dy partive është njësoj me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme?

Stanishev: Me urtësi, me respektin e përbashkët dhe gjënë më të madhe që mund t’i bashkojë dy partitë dhe dy liderët: E ardhmja e vendit! Është në duart e tyre, duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që kanë për vendin. 8 vjet qeverisje nga Berisha janë mjaft, më tepër se mjaft. Unë besoj se shumica e shqiptarëve duan një perspektivë të re, duan ndryshim dhe ky ndryshim mund të ofrohet përmes bashkimit dhe bashkëpunimit të dy partive më të mëdha të së mjatës; PS dhe LSI.

TCH: Ju jeni një mik edhe i Ramës edhe i Metës, çfarë do t’i sugjeronit Metës në fazën finale të marrjes së vendimit mbi negociatat e formimit të koalicionit?

Stanishev:
Të dy liderët i respektoj vërtet shumë, ashtu si dhe kolegët e tjerë të mi në familjen e Internacionales Socialiste. Në Kongresin e vitit 2012 ata ishin të dy të ftuar dhe patëm bashkëbisedime mjaft të mira dhe mesazhi që unë u përcolla të dyve në emër të familjes socialiste ishte: Bashkëpunoni! Lini mënjanë ndarjet! Keni një mision të madh për popullin dhe vendin. Besoj se të dy janë të matur dhe me eksperiencë, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, ndaj mendoj se do t’i gjejnë mënyrat për të bashkëpunuar me urtësi dhe qartësi mbi atë që vendi ka nevojë. Kjo është kryesorja, sepse politika nuk është për veten, nuk është për pushtetin, por është për të bërë gjëra për njerëzit; rritje ekonomike, më shumë punë, investime, infrastukrurë, konkurrueshmëri dhe drejtësi sociale. Unë mendoj që të majtët kanë ide vërtet shumë të arsyeshme e të mira për ekonominë, si të kthejnë drejtësinë dhe solidaritetin në shoqëri, përfshirë taksën progresive mbi të ardhurat, si dhe të përmirësojnë situatën në lidhje me biznesin në Shqipëri. Gjithashtu është e rëndësishme të mbahet mend se familja eurosocialiste mbështet perspektivën euriopiane të Shqipërisë dhe që ne do të punojmë së bashku në të ardhmen për integrimin e Shqipërisë, pasi qeveria e Sali Berishës nuk arriti dot t’i siguronte integrimin vendit, që është një arsye më shumë për ndryshimin e qeverisjes, dhe kjo në të mirë të vendit.

TCH: Çfarë do t’i sugjeronit zoti Rama, teksa jo pak mbeshtetes te tij e konsiderojne si te papranueshem bashkëpunimin ose koalicionin me LSI-në?

Stanishev: Politika është një profesion i vështirë. Sigurisht që kemi patur në të shkuarën momente në partinë time, në familjen time, ku forcat kanë patur pozicione të ndryshme. Por ka gjëra që janë më të mëdha se e shkuara, kjo është e ardhmja! Ju keni përgjegjësinë dhe besoj se Edi Rama e kupton këtë. Nëse Partia Socialiste punon së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kjo siguron shanse më të mira për ndryshim më të madh në vend. Problemet individuale, ndasitë, konfliktet, duhet të lihen pas.

TCH: Kush është apeli juaj për mbështetësit e të dyja partive?

Stanishev: Do u bëja një pyetje, a e doni ndryshimin për vendin? A doni një jetë më të mirë, ekonomi më të mirë, drejtesi, zbatim të ligjit dhe integrim? I doni? Bëhuni bashkë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA