Rritja ekonomike në botë

30/03/2013 02:20

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, e njohur ndryshe si OECD, sheh forcim të rritjes në ekonomitë më të zhvilluara të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kryesojnë, sipas saj, në këtë drejtim, ndërsa parashikimet për Europën janë më pak optimiste.

Të dhënat e fundit tregojnë se ekonomia amerikane u rrit më shpejt nga sa pritej, në tremujorin e katërt të 2012-tës, pasojë direkte kjo e shtimit të investimeve.

Shifrat pozitive kanë shtuar shpresën se ekonomia amerikane, më në fund, po e rimerr seriozisht veten, çka e dëshmon dhe përmiresimi i tregut të punës, apo ngritja e çmimit të banesave.

Por, edhe pse ky trend, me gjithë gjasat, do të vazhdojë edhe gjatë 2013-tës, shkurtimet e ndjeshme të shpenzimeve qeveritare, sidomos ato për mbrojtjen, e shtyjnë Departamentin e Tregtisë të tregohet i kujdesshëm në vlerësime e të paralajmërojë se ritmi i rimëkëmbjes do të jetë i ngadaltë.

Japonia, ndërkohë, do të ketë rritje 3.2 përqind, nga janari në mars, dhe pastaj rritja do jetë më e vogël, me 2.2 përqind në tremujorin e dytë. Sa për Europën, edhe pse arriti t’i sheshojë disa mungesa ekuilibrash, të shkaktuara nga kriza rajonale e borxheve, parashikimi për zonën e euros anon më tepër nga negativja.

Gjermania konsiderohet me rritje të shëndetshme, por Franca, ekonomia e dytë më e madhe e saj, mund të mos ketë fare rritje këtë vit, ndërsa e treta në radhë, Italia, vazhdon të jetë në recesion.

Zëri i Amerikës citon edhe një raport tjetër, të organizatës me qendër në Paris, i cili është mjaft optimist për Kinën dhe thotë se, me këto ritme, ajo do të arrijë t’i zërë vendin Shteteve të Bashkuara, si  ekonomia më e madhe e botës, ndoshta në 2016-tën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA