Përse Berisha e bën Arvizun të flasë si Pack

30/03/2013 00:00

ANDREA STEFANI – Ndërsa shtohet presioni i ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira e të ndershme, Berisha po përpiqet t’i shtrembërojë mesazhet e tyre për të vënë në shërbim të manipulimit që duket se po përgatit.

Kështu ka ndodhur edhe me deklaratën më të fundit të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, që i bëri thirrje Berishës të respektojë premtimin për zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme në historinë e Shqipërisë. Mediat e Berishës e kthyen këtë deklaratë me kokëposhtë duke e bërë të tingëllojë thuajse e njëjtë, me thirrjet e mikes së vjetër të Berishës, eurodeputetes Doris Pack, që sapo ka ftuar palët të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Qëllimi? Ta bëjnë edhe opozitën pjesë të fajësisë për rrënimin e zgjedhjeve që po organizon. Sipas një fabule të njohur për shqiptarët, pjesëmarrja e opozitës (e rojës) në paketën e fajësisë, jo vetëm do ta shfajësonte Berishën (atë që do vjedhë lopën) por edhe do minimizonte mundësitë e kundërshtimit të rezultatit të vjedhur. Kjo është taktika e Berishës.

***

Është gjë shumë e mirë për demokracinë që rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet. Por ai duhet të jetë njëherazi edhe arritje e demokracisë. Pranimi i rezultatit nuk duhet të jetë garniturë e zgjedhjeve të vjedhura. Pikërisht ky qe edhe thelbi i mesazhit të Arvizu që Berisha e shtrembëroi me anë të propagandës së tij. “Qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje në mënyrë transparente që janë në përputhje me Kushtetutën shqiptare, Kodin Zgjedhor dhe ligje të tjera përkatëse. Ajo është zotuar se do t’i bëjë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë. Ky është një synim fisnik. Është një synim i arritshëm dhe e nxisim qeverinë të bëjë gjithçka që mundet për ta përmbushur këtë” – qe deklarata e Arvizu. Po si e pasqyroi, më saktë, e deformoi media e Berishës. Në gazetën “RD” titull i lajmit qe kuruar me kujdes për ta harmonizuar forcërisht me tezën e Berishës se Rama nuk do pranojë rezultatin. Në titull shkruhej “Arvizu: Mbështetje për zgjedhje të lira, jo kontestim rezultati”. Edhe në komentin e gazetës brenda lajmit gjendej i njëjti deformim. Lexojmë: “Gjatë prezantimit të një pakete asistence me vlerë mbi 1 milion dollarë në kuadër të mbështetjes amerikane për zgjedhjet, ambasadori Arvizu theksoi se duhet të shmangen të gjitha tentativat për kontestim të rezultatit”. Askund nuk gjendet në deklaratën e Arvizu ndonjë frazë e tillë. Një gjë të tillë mund ta gjesh vetëm në deklarimin e pak ditëve më parë të Doris Pack, që u bëri thirrje të gjitha palëve për të pranuar rezultatin. Ndërkaq, ambasadori Arvizu ka shprehur qartë se pranimi i rezultatit do të jetë i lidhur ngushtë me cilësinë dhe transparencën e zgjedhjeve: “Nëse zgjedhjet zhvillohen në një mënyrë që është e hapur dhe transparente – që do të thotë kompromis dhe gjithëpërfshirje – atëherë do të jetë e mundur të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në integritetin e procesit, dhe për pasojë edhe të rezultatit” – tha Arvizu. Pra, para se t’i kërkojë Edi Ramës të mos kontestojë rezultatin Berisha ka barrën që të provojë, në mënyrë të prekshme për publikun, se ato janë të lira e të ndershme si kurrë më parë. Dhe askush në botë, e jo më Edi Rama, nuk ka forcë të kundërshtojë një rezultat zgjedhor që është qartazi fryt i votës së lirë dhe të pamanipuluar. Personalisht, u përkas atyre që mendojnë, vendosmërisht, se pas 8 vjet qeverisje të korruptuar dhe pas mbi 23 vjet në krye të politikës, është në të mirë të demokracisë që Sali Berisha të dalë në pension. Por nëse Berisha, do të rezultonte fitues pas një procesi të lirë e të ndershëm, gjë që ka pak të ngjarë, do të dilja në mbrojtje të këtij rezultati edhe pse nuk do të pëlqeja fare atë. Kontestimi i rezultatit të ndershëm, pavarësisht simpative apo antipative politike, është vdekja e demokracisë. Por po ashtu është edhe pranimi i një rezultati të pandershëm. Prandaj, nëse Berisha do guxojë përsëri të manipulojë votat e 23 qershorit, do të jetë imperativ kategorik i opozitës dhe i çdo shqiptari ta kundërshtojë për të rivendosur demokracinë. Të pranosh një rezultat të tillë, siç ftoi palët edhe Pack, do të thotë të dish shumë pak për demokracinë. Sepse të pranosh një rezultat të vjedhur do të thotë të ndërrosh demokracinë me autokracinë e votës së vjedhur.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA