Koretë, Veriu në “gjendje lufte” me Jugun

30/03/2013 03:00

Korea e Veriut ka bërë të ditur se është futur në “gjendje lufte” me Korenë e Jugut, gjatë përshkallëzimit të fundit të retorikës së saj kundër fqinjëve jugorë dhe SHBA-ve.

Një deklaratë e publikuar në median shtetërore premtonte “veprime të ashpra fizike” ndaj “çdo lloj akti provokues”. Korea e Veriut ka kërcënuar pothuajse përditë me sulme, edhe pse të paktë janë ata që mendojnë se do të rrezikohet një luftë e madhe.

SHBA-të kanë dënuar “retorikën luftarake” të Veriut, ndërsa Rusia ka paralajmëruar për një “rreth vicioz”.

Dy Koretë, Veriu dhe Jugu, kanë qenë teknikisht në luftë, që prej konfliktit të armatosur mes tyre, që përfundoi në 1953, për shkak se një armëpushim nuk u kthye kurrë në një traktat paqeje.

Tensionet në gadishullin korean kanë qenë të larta, që prej testit të tretë bërthamor të Koresë së Veriut, më 12 shkurt, gjë që çoi në marrjen e sanksioneve të reja nga OKB.

Në deklaratën e Koresë së Veriut, të publikuar të shtunën thuhej: “Që nga ky moment e në vazhdim, marrëdhëniet Veri-Jug do të futen në një gjendje lufte dhe të gjitha çështjet e ngritura mes Veriut dhe Jugut do të trajtohen në përputhje me rrethanat. Situata e tejzgjatur në pritje, në gadishullin korean, duke mos qenë as në paqe dhe as në luftë, tashmë ka marrë fund”.

Korea e Veriut ka lëshuar kërcënime të shumëfishta ndaj SHBA-ve dhe Koresë së Jugut së fundi, përfshi këtu edhe paralajmërimin për “një goditje parandaluese bërthamore” kundër SHBA-ve si dhe heqjen e armëpushimit me Jugun.

Reagojnë Washingtoni dhe Pekini

Në Washington, Caitlin Hayden, një zëdhënëse për Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ka thënë se SHBA-të kanë vërejtur “raportime të një deklarate të re destruktive nga Korea e Veriut”. “Ne i marrim seriozisht këto kërcënime dhe mbetemi në kontakte të ngushta me aleatët tanë të Koresë së Jugut”, tha ajo. Ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se retorika vetëm sa e thellon izolimin e Koresë së Veriut.

Kina, partneri tregtar më i madh i Koresë së Veriut, ka ripërsëritur thirrjet e saj për ulje tensioni nga të gjitha palët. Ministri i Jashtëm, Hong Lei, tha gjatë një konference shtypi, se “përpjekje të përbashkëta” duhen bërë për të kthyer në normalitet një “situatë të tensionuar”.
 

Harta me rrezet e veprimit të raketave, që zotëron Korea e Veriut

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA