Nëse Conte u tregua i gatshëm për një të ardhme të mundshme tek Inter, Andrea Stramaccioni preferon të mos e bëjë diçka të tillë, në aspektin e kundërt, duke shkuar te Juventus.
“Më rezulton diçka e vështirë ta shoh veten në pankinën e Juves, edhe për shkak të karrierës time, që është në hapat e para. Pastaj, ndoshta pas një viti mund të jem në ndonjë ekip tjetër… por jo tek ai që mendoni ju”, është shprehur tekniku zikaltër.
Sa i përket rikthimit të Mourinho-s: “Po zhgënjeni tifozët, po krijohet një pritshmëri false. E di mirë të vërtetën, pasi kam folur me presidentin”.
Problem në shtëpinë e Interit janë kthimi me vonesë i disa lojtarëve: “Kemi re të zeza mbi kokë, sepse Isla ka ardhur menjëherë për Juven, ndërsa lojtarët tanë jo. Janë gjëra që ndodhin, nuk ka qenë diçka me fat për ne. Pereira-n dhe Gargano-n i kam parë së fundi, Guarin është stërvitur më pas, por ndodhin këto”.
Megjithatë, ndoshta do të ishte më mirë, sikur të mos ndodhnin përpara një sfide kaq të rëndësishme dhe të shumëpritur. “Nuk është ndeshje si gjithë të tjerat, do vihemi përballë një skuadre, që po tregon deri tani se është më e mira. Motivimi është në maksimum, është sfida e duhur për të dhënë në fushë gjithçka që kemi në dorë. Barazimi? E kam të vështirë të bëj parashikime para kohe, mund të gjykoj vetëm pas ndeshjes, sepse futem gjithmonë për të fituar”, ka pranuar “Strama”.
Ndërkohë, Antonio Conte karikon Juven për ndeshjen e së shtunës kundër Interit në “San Siro”. “Për ne ndeshja me ‘N’ të madhe është ajo kundër zikaltërve, – ka theksuar tekniku bardhezi në konferencën për shtyp. – Duam të rikonfirmohemi në kampionat dhe për këtë nuk duhet të dështojmë në ndeshje të rëndësishme, sepse është tradita në mes, përballemi me një skuadër të madhe. Në fushë do të zbresë formacioni më i mirë, pasi pres një ndeshje të hapur. Barazimi nuk i shërben askujt”.
Top Channel