Vlorë, ndërpriten kërkimet për peshkatarët

29/03/2013 00:00

Është ndërprerë operacioni i kërkimit të dy të rinjve vlonjatë që rezultojnë të zhdukur në ujërat e Gjirit të Vlorës që prej orëve të para të së premtes.

Grupet e kërkimit të Rojes Bregdetare, Guardia di Finanzia, policisë kufitare dhe pjestarë të Forcave të Armatosura njoftuan ndërprerjen e kërkimit të dy të rinjve vlonjatë për shkak të errësirës. Mësohet se kërkimet do të rinisin ditën e shtunë.

Peshkatarët e zhdukur janë dy 25-vjeçarët Fatmir Ismailaj dhe Gëzim Bashkllari, që të dy banues në Vlorë. Ata kanë dalë me një mjet lundrues të vogël me motor, por për shkak të detit të trazuar janë rrëmbyer nga rryma.  Ata kërkuan ndihmë rreth orës 5 të mëngjesit të së premtes kur telefonuan familjarët e tyre.

Flota Detare tha rreth orës 17:00 se është lokalizuar vendndodhja e telefonatës së fundit të kryer nga dy të rinjtë. Kërkimet janë përqendruar në trekëndëshin Port-Petrolifera dhe Plazhi Publik.

Vec angazhimit të Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanzia në operacion u përfshi edhe ushtria që njoftoi se operacioni i kërkim-shpëtimit është shtrirë në të gjithë Gjirin e Vlorës.

Top Channel