
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka mbajtur paraditen e së premtes mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës kanë qenë çështje që konsiderohen jetike për zgjedhjet e ardhshme.
Kështu, në këtë takim është diskutuar për proçesin e auditimit të tesit të numërimit elektronik në qarkun Fier, si dhe për çështjen e konstituimit të KZAZ-ve.
Komisionerët, të majtë dhe të djathtë, kanë dhënë propozimet dhe argumentet e tyre, që si zakonisht kanë rënë ndesh me njëri-tjetrin.
“Rregulli i përgjithshëm duhet të zbatohet edhe në rastin e Fierit. Sa për proçedurën e auditimit, ka një afat fundor që audituesi duhet ta respektojë. Është afati i raportit që ai duhet të paraqesë. Në këto kushte, normalisht kemi një vendimmarrje që duhet ta mbështesim. Unë propozoj që të jetë një afat më i hershëm, para datës 15 prill, për shpalljen e procedurave të prokurimit”, ka deklaruar komisionerja e PS, Albana Shtylla.
“Nuk keni nevojë të bëni përsëritje të gjërave që keni thënë sa herë që merrni fjalën. Ju tërheq vëmendjen të gjithëve, keni përsëritur tre herë sot të njëjtat gjëra”, ka replikuar kryetarja Lefteri Lleshi.
“Duhen marrë masa të ndryshme për sigurimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe duhet të vendosim. Nëse pranohet propozimi ynë për caktimin e auditit, atëherë duhet të shikohet koha. Kërkesa jonë është caktimi i një auditi të pavarur për vlerësimin e testit të parë, data 3 prill 2013”, ka deklaruar komisioneri i PS, Denar Biba.
“Ky është propozimi juaj, por unë dua të arsyetoj mbi të. Proçedura e prokurimit thotë se nuk ka një moment fiks. Unë gjykoj se data 3 e prokurimit është e vonë. Le të parashikojmë mundësinë e proçedurave të prokurimit. Ne duhet të bëjmë punën që këto teknologji të realizohen. Të bëhen procedurat për tenderimin e objekteve teknologjike të numërimit”, ka shtuar pas tij komisionerja e mazhorancës.
Më pas rendi i ditës është mbyllur dhe mbledhja e radhës është caktuar për të martën në orën 11:00.
Top Channel