Ka vetëm një mënyrë që Lëvizja 5 Yjet të bëhet pjesë e qeverisjes në Itali, dhe ajo është që ekzekutivin ta krijojë e vetme. Në konsultimet për krijimin e qeverisë ishin të pranishëm krerët e grupit parlamentar të saj, por mungonte lideri Beppe Grillo që përpara bisedimeve i kishte telefonuar presidentit Giorgio Napolitano për t’i thënë se “nuk e ka përmendur kurrë mundësinë e pranimit të një qeverie teknike”.
Grillo ka zgjedhur mënyrën e preferuar për të bërë të ditur qendrimin e tij, blogun: më shumë se sa në sektorin e politikës, jemi në atë të psikiatrisë, shkruan komediani i kthyer në politikan. Ajo që shohim janë vetëm rrëmbime e sjellje jashtë normales. Duhet të shkojnë të gjithë në shtëpi.
Napolitano nisi sot një raund të ri konsultimesh me shpresën e caktimit të një kandidati për kryeministër, i cili të marrë mbështetjen e partive të përcara politike e të jetë në gjendje të krijojë qeverinë.
Shumë shpejt u bë e qartë se do të nevojiten të tjera bisedime me liderët politikë pasi Pier Luigi Bersani, udhëheqësi i bllokut të majtë, fitues të zgjedhjeve të përgjithshme, por pa mazhorancë në Senat, nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme pas negocjatave thuajse 1-javore.
Bersani vetë e pranoi se bisedimet kanë qenë “dramatike” e dështuan për shkak të “kundërshtimeve dhe kushteve” të papranueshme që vendosën partitë kundërshtare.
Lideri i bllokut të djathtë, Silvio Berluskoni nga ana tjetër, pas një takimi prej më shumë se një orë me presidentin Napolitano, deklaroi se partia e tij, Populli i Lirisë ishte e gatshme të bashkëpunonte me Partinë Demokratike për krijimin e një koalicioni qeverisës, skenar ky të cilin është PD e Bersanit që e refuzon.
Top Channel