Button: Red Bull, polemikat e tyre na favorizojnë

29/03/2013 12:50

Piloti i McLarenit, Jenson Button, mendon se polemikat brenda Red Bullit në garën e fundit të Sepangut, mund të shndërrohen në një favor për skuadrat e tjera të Formulës 1.

“Mendoj se ajo që ndodhi në Malajzi do të dëmtojë Vettelin në afatgjatë. Të gjithë duam të fitojmë, por Red Bulli, si skuadër, ka interesa më të mëdha se fitorja e një piloti të vetëm. Shumë herë, në të shkuarën, urdhërat e skuadrës kishin favorizuar pikërisht Vettelin, prandaj ajo që bëri nuk ishte e hijshme”, komentoi Button në shtypin britanik.

Në garën e Malajzisë, Vettel rrezikoi përplasjen me shokun e skuadrës, duke e parakaluar ndonëse i ishte dhënë një urdhër i qartë për të qëndruar pas Ëebber, i cili nga ana e tij ndoqi këshillën e skuadrës për të ulur ritmin e garës, pasi duke kryesuar me distancë, u pa e arsyeshme të ruhej konsumi i motorit dhe gomat.

Sipas ish-kampionit të botës, që ka nisur dobët këtë sezon, me një vend të nëntë dhe nëj braktisje, falja e kërkuar nga Vettel apo diskutimi brenda skuadrës nuk do të shërbejë për të zgjidhur situatën.

“Mund të shkaktojë një problem. Edhe nëse ulen e flasin, asgjë nuk do të ndryshojë. Ajo që ndodhi, do të mbetet për një kohë të gjatë në mendjen e pilotëve, skuadrës dhe të gjithë të tjerëve, nuk ikën ashtu me një kërkesë falje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA