Ekonomitë kryesore botërore do të regjistrojnë një rritje më të lartë ekonomike gjatë vitit, krahasuar me 2012-n, por rikuperimi i Europës dhe veçanërisht i Eurozonës do të vazhdojë të jetë i ngadaltë, paralajmëroi të enjten një organizatë e specializuar ndërkombëtare.
Organizata Botërore për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (e njohur shkurt si OECD), parashikoi një rritje më të fortë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë dhe Gjermaninë, ndërsa Kina pritet të vazhdojë të mbetet në kufijtë e rritjes vjetore 7-8%.
Megjithatë, OECD-ja theksoi se përsa i përket Europës, do të jetë e nevojshme që të merren masa të shtuara për të nxitur rritjen.
Sipas organizatës, parashikimi për rritjen e shtatë ekonomive më të mëdha botërore për tremujorin e parë të vitit 2013 është 2,4%.
Të dhënat janë domethënëse krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kur ekonomitë kryesore botërore u tkurrën me 0,5%.
“Këto të dhëna na bëjnë të jemi optimistë në mënyrë të moderuar”, deklaroi shefi i OECD-së, Pier Carlo Padoan, për agjensinë “Reuters”.
Top Channel