Qipro, hapen bankat pas 12 ditësh

28/03/2013 00:00

Bankat e Qipros u hapën pas 12 ditësh. Roje të armatosura qëndrojnë jashtë ndërtesave, ndërsa brenda tyre do të kryen kontrolle të kapitalit.

Klientët do të përballen me kontrolle fikse; asnjëri prej tyre nuk mund të tërheqë më shumë se 300 euro në ditë, do të ketë kufizime të pagesave me karta krediti, deri në 5.000 euro në muaj. Qipriotët nuk do të marrin më shumë se 1 mijë euro jashtë vendit.

Korrespondenti i BBC në Nikozi thotë se kufizimet në lëvizjen e lirë të kapitalit përbëjnë një shkelje të njërit prej parimeve të Bashkimit Europian.

Mëgjithatë, Komisioni Europian e justifikoi lëvizjen duke thënë se: “Stabiliteti i tregjeve financiare dhe sistemi bankar në Qipro përbën një çështje që tejkalon interesin publik”.

Qipro është anëtari i parë i eurozonës që po kryen kontrolle të kapitalit. Vendit i duhet të sigurojë 5.8 miliardë euro për planin e shpëtimit prej 10 miliardë eurosh të Bashkimit Europian, Bankës Qëndrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, apo Trojka, siç njihet ndryshe.

Si pjesë e planit të shpëtimit, depozituesve me më shumë se 100 mijë euro do t’u taksohen kursimet, në këmbim të aksioneve bankare.

Përmes një deklarate, ministri qipriot i Financave këmbënguli se masat e kontrollit të kapitalit janë të përkohshme dhe të nevojshme për të shpëtuar sistemin.

Banka Qëndore e Qipros dhe qeveria e vendit do t’i kontrollojnë çdo ditë bankat, me qëllim për të rrëzuar masat, nëse kjo do të lejohej nga rrethanat.

Të mërkurën, qindra protestues u grumbulluan jashtë pallatit presidencial duke bërtitur: “Nuk do të paguaj asgjë, nuk kam më asgjë”. Ndërkohë, bursa e Qipros do të mbetet e mbyllur.

Top Channel