Skuadrat më të titulluara të basketbollit amerikan, Boston Celtics dhe Los Angeles Lakers, janë në prag të eliminimit nga faza e play-off-it në NBA. Të dyja janë vetëm një humbje larg “greminës” pasi Boston po dominohet nga New York, ndërsa Lakers po shkatërrohet nga San Antonio Spurs.
Carmelo Anthony spikati me 26 pikë në fitoren e tretë të New York në serinë që po e dominon (3-0). Puna e Kevin Garnett me 17 topa poshtë tabelës ishte shumë pak për Boston që humbi me rezultatin 90-76 e tashmë do të mundohet të fitojë të paktën një ndeshje për të shpëtuar nderin.
E njëjta situatë edhe për Los Angeles Lakers. E copëtuar nga dëmtimet (Kobe Bryant, Steve Blake, Steve Nash, Jodie Meeks dhe Metta World Peace) skudra kaliforniane nuk është në gjendje të përballojë San Antonion që fiton shumë thellë në Staples Center: 120-89 duke çuar serinë në 3-0.
Tim Duncan zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer me 26 pikë (12/16) dhe 9 topa në tabelë.
Top Channel