
Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës Kadri Veseli merr pozitën e zëvendëskryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Vendimi u mor në mbledhjen e kryesisë së radhës e cila u kryesua nga kryetari i PDK-së Hashim Thaçi.
Në një komunikatë për media thuhet se kryesia e PDK-se zgjodhi zëvendëskryetar, zotin Kadri Veseli ndërkaq u miratua statuti i PDK-së si dhe rregullorja e punës për ndarjen e detyrave të kryesisë së partisë. Kadri Veseli zyrtarisht bën pjesë në mesin e anëtarëve të rinj të PDK-së, pavarësisht se ka drejtuar SHIK-un.
Sipas komunikatës kryeministri Hashim Thaçi njoftoi kryesinë e partisë së tij lidhur me bisedimet Prishtinë-Beograd. Sic shkruan komunikata, kryetari Thaçi ka theksuar se ky integrim i veriut të Kosovës do të ndodhë përmes vendosjes së rendit dhe ligjit, përmes zbatimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, duke ruajtur karakterin unik të sistemit tonë të drejtësisë dhe rendit, me hierarki të plotë institucionale të nivelit qendror dhe lokal, duke mos lejuar pushtet të ndërmjetëm dhe duke i shpërbërë plotësisht strukturat ilegale të sigurisë dhe drejtësisë.
Kryetministri Thaçi, po kështu ka njoftuar anëtaret e kryesisë se marrëveshja nuk është arritur si rezultat i ngurtësisë së fuqisë vendimmarrëse të delegacionit serb.
“Kryesia e PDK-së i dha mbështetje të plotë kryetarit Hashim Thaçi në përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në këtë proces të rëndësishëm për vendin”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Top Channel