Pas aksidentit të Malajzisë, Fernando Alonso ringrihet në këmbë dhe vendos si objektiv podiumin në dy garat e ardhshme, atë të Kinës dhe Bahreinit, në mënyrë që të rikthehet si pretendent në luftën për titullin kampion.
Vendi i dytë i arritur në Australi nga spanjolli ishte një rezultat shpresëdhënës për Ferrarin, por aksidenti në Sepang ka ndryshuar situatën dhe tani “kokëkuqja” nuk mund t’i lejojë më vetes gabime të tjera.
“Nëse arrijmë të kemi një fundjavë në kushte normale, atëherë jam i sigurt që do të kualifikohemi mirë në provat zyrtare dhe do të jemi në gjendje që të fitojmë pikë të rëndësishme për klasifikimin”, deklaroi Alonso.
“Dy garat e ardhshme nuk do të jenë të lehta, por përmirësimi i rezultateve në Kinë dhe Bahrein është një detyrim dhe podiumi i mundur”.
Një sezon më parë, kampioni i dyfishtë i botës përfundoi i nënti në Shangai dhe i shtati në Sakhir.
Këto do të jenë dy garat e fundit përpara zhvendosjes në Europë, ku Ferrari synon të realizojë kthesën e madhe. “Nëse mbërrijmë në Europë me dy podiume, do të jetë shumë mirë për moralin. Personalisht, nuk mendoj se Red Bulli është kaq i fortë, siç tregoi edhe fakti se Mercedesi luftoi me ta deri në fund në Australi”.
Top Channel