Zlatan Ibrahimovic do të lejohet të luajë në çerekfinalen e vajtjes së Champions League, përballë Barcelonës.
UEFA vendosi ditën e martë që të pranonte apelimimin e Paris SG, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e raundit të një të tetave, me Valencian.
I përjashtuar në fund të përballjes së vajtjes (Valencia-PSG 1-2), suedezi u pezullua me dy ndeshje shtesë për shkak të ndëhyrjes së tij të rrezikshme dhe humbi ndeshjen e kthimit, të përfunduar 1-1.
Apeli i Paris SG rezultoi i suksesshëm, pas një pasaktësie të evidentuar në raportin e gjyqtarit pas ndeshjes.
Në këtë raport shkruhej se ndërhyrja e Ibrahimovic kishte ndodhur kur loja ishte e ndërprerë, por nga pamjet televizive, u vërtetua se në fakt ajo kishte ndodhur gjatë lojës dhe si rrjedhojë, UEFA vendosi të ulte pezullimin nga dy në një ndeshje.
Pas kësaj “amnistie”, Ibra do të mund të jetë i pranishëm në të dy ndeshjet çerekfinale kundër ish-skuadrës së tij dhe jo vetëm në atë të “Camp Nou”, siç ishte paralajmëruar më parë.
Top Channel