Serbia ka përcaktuar nëntë pika, në bazë të të cilave do të nënshkruajë ose jo marrëveshjen me Kosovën për komunat serbe, e cila do ta zgjidhte problemin e veriut.
Ndër këto pika, shumë prej tyre janë të lidhura me kompetencat e serbëve, por duket se Serbia kërkon që të saktësojë lidhjet, që do të ketë Bashkësia e Komunave Serbe me vetë Serbinë, por edhe me Kosovën dhe kushtetutën e saj.
Millovan Drecun, shef i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka theksuar se këto kritere janë pika ndër të cilat Serbia nuk mund të shkojë, por edhe nëse do të ketë afrim të qëndrimeve, për palën serbe do të vendoset me votat e Kuvendit të Serbisë.
Një nga kriteret dhe pikat, që Serbia pret ta saktësojë, është se si do të funksionojë bashkësia serbe, me kompetenca të saj apo kompetenca siç i kanë komunat. A do të ketë organe për zbatimin e kompetencave, por nëse do të ketë edhe prona të saj.
Një nga pikat e pasqaruara është, nëse vendimet e Bashkësisë Serbe do të kenë nevojë për miratim nga Prishtina, nëse serbët do të kenë qasje tek organet qendrore dhe a do të jetë e pranuar kjo bashkësi nga Kushtetuta e Kosovës.
Në nga pikat është garancia, që Forca e Sigurisë së Kosovës të mos jetë e pranishme në veri. Këto kushte janë hartuar nga krerët e shtetit, në mbledhjen e një dite më parë, dhe do të paraqiten më 2 prill në Bruksel.
Top Channel