Mustafa Nano – Kam marrë do kritika për shkrimin me titull “Nuk jam hiç i tronditur nga ‘miku im’, Eduard Selami”, të publikuar në Shqipin e pardjeshëm.
Jam i ngacmuar nga këto kritika, ngaqë më rezulton që përfaqësojnë një frymë të përgjithshme, që po e quaj “fryma e dorëzimit”. Janë kritika, që të përmbledhura do bënin: “Eduard Selami nuk është rob i keq; nga ana tjetër, ai e ka vendosur të kthehet në Shqipëri, e të rifutet në politikë, në këto rrethana s’ka se ku të futet, veçse në partinë e tij, në PD; pastaj, ç’të keqe ka në këtë mes? Më mirë ai se sa Topalli, Basha, e Co.”.
Sipas meje, ky është një arsyetim njëherësh amoral (amoral në kuptimin ‘në shpërfillje të moralit’, e jo ‘në shkelje të moralit’), mendjelehtë, cinik, e meskin. Të bën përshtypje më shumë përmasa amorale, megjithatë. Të bën përshtypje për faktin, që kemi arritur në pikën, ku konsideratat morale edhe nuk i bëjmë, edhe na e shpifin kur i bëjnë të tjerët (nuk po flas për ca e ca, që me të dëgjuar konsiderata të tilla, të hidhen në grykë: kush je ti që na shet moral? Ik ore, zhduku!).
Vini re pra të gjitha gjymtyrët e arsyetimit: 1. Gjymtyra “nuk është rob i keq (nuk o rob i keq, do shkonte më shumë)” është në dukje e natyrës morale; mirëpo ne e dimë se ç’ngarkesë ka kjo shprehje këtej nga anët tona. “Nuk është rob i keq” don të thotë që nuk prish qejf, që i largohet sherrit, që sillet lepe-peqe, e merret vesh se këto karakteristika nuk kanë lëndë morale. 2. Gjymtyra e dytë “ai është kthyer për t’u marrë me politikë, e prandaj s’ka se ku të shkojë tjetër, veçse në PD, që është partia e tij” është si një ekuacion i thatë: “ai ka qenë në PD + ai është kthyer në Shqipëri = ai e ka vendin në PD”; dhe asnjë prej kufizave të ekuacionit nuk ka natyrë morale. Janë pohime që konstatojnë: ai ka qenë në PD, ai është kthyer në Shqipëri, ai e ka vendin në PD. Përveç kësaj, për Eduard Selamin në këtë rrethanë flitet si për një apostull të cilit, qysh nga momenti që është mes nesh, duhet t’ia njohim rolin që ai ka marrë përsipër të luajë, e duhet ta mbështesim në atë që bën. Ka një lloj mirëkuptimi dhe empatie pra, që mund t’i bëjë, dhe i bën, këta njerëz të thonë se “është gjynah që ai të mbetet jashtë radhëve, jashtë dyerve, jashtë tavës”. Sikur t’u thuash “e kujt i bëhet vonë se ai, apo të tjerët si ai, rrinë me gisht në gojë?”, mund të mbeten syshqyer, mú sikur t’u ketë zënë veshi një gjë të padëgjuar. Të njëjtën empati demonstrojnë edhe me Berishën, Ramën, Metën, Topallin, etj. Po t’u shtrosh nevojën e ikjes së tyre, të thonë: “Ku do shkojnë ata po ikën nga politika? Kjo është njësoj si t’i vrasësh. Pse t’ia lëshojnë vendin një tjetri?”. E habitshme. Në ka një gjë që duhet të ndodhë në Shqipëri është pikërisht nxjerrja e këtyre njerëzve jashtë loje, prishja e hesapeve të tyre. Ndërsa ka mes nesh që ua qajnë hallin, nëse ata thyejnë qafën. 3. Gjymtyra e tretë “më mirë ai se Topalli, Basha, e Co.” është një ngushëllim i kotë, që në teori mund të ketë një nënkuptim moral (vetë përcaktori “i mirë” e bart këtë nënkuptim), por që në praktikë është ndryshe. Ka pasur plot “më të mirë” se të tjerët që e kanë bërë shumë më përpara zgjedhjen e Selamit, por ne e dimë se ata janë bërë “më të këqij se të këqijtë”. Është, me sa duket, fati i shkruar për djemtë plëngprishës. S’ka si të ndodhë ndryshe.
Ka dhe një kritikë tjetër. Mbi Selamin janë derdhur këto ditë shumë zëra, që “i përkasin opozitës” (unë po se po), dhe prej këtu mund të dilet në përfundimin, se “është një motivim opozitar” në themel të këtij qëndrimi. Ka ndonjë problem po të ish kështu? Sipas meje, nuk ka. Por nuk besoj, megjithatë, se është tamam kështu. Problemi i Selamit, rrjedhimisht arsyeja jonë për ta qortuar, është që ai është dorëzuar. Është dëbuar ad litteram nga ajo parti, është flakur tej nga Berisha, më pas i ka bërë kritika substanciale këtij të fundit, ka pritur dita-ditës që Berisha të bjerë, të largohet, të katandiset si mos më keq, dhe një ditë prej ditësh, marrim vesh se ai është kthyer aty, te Berisha, “për ta ndihmuar atë të arrijë një fitore, që kështu të shpëtojë Shqipëria”.
Siç dihet, nuk e ka bërë këtë zgjedhje në fushatën e vitit 2005, as para plojës së Gërdecit, as para 21 janarit të tmerrshëm, as përpara vjedhjes ditën me diell të Bashkisë së Tiranës, as para se Berisha të pretonte pasurinë kombëtare e të uzurponte një e nga një institucionet publike e shtetërore, por e bën pikërisht tani, kur m… i Berishës është bërë mullar. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Shehi, i cili ka pasur plot arsye të mos bëhet me Berishën edhe kur ky i fundit ka qenë në opozitë, dhe i ka shprehur këto arsye (prandaj është parë si një nga njerëzit më dinjitozë në radhët e politikës shqiptare), dhe papritur gjen arsye pikërisht tani për t’u bërë me Berishën. Të njëjtën gjë duket se do të mund ta bënte pa ndonjë problem dhe Zogaj, i cili në një intervistë për Panoramën e djeshme kish zënë ta fuste shpejt e shpejt ligjërimin në binarë tepër neutralë e të kërkonte baraslargimin nga palët, duke arkivuar pa asnjë dhembje rropatjen opozitare të këtyre viteve.
Unë e kuptoj dinamikën e marrëdhënieve mes njerëzve në politikë, që rëndom ngrihet mbi çikërrima që s’kanë vlerë për ne që jemi jashtë gardhit, por natyrshëm kanë vlerë të madhe për ata që janë në lojë. E marr me mend edhe se të ndihesh i shpërfillur në një moment kur janë duke u bërë listat e deputetëve është alamet motivi për t’u prishur me partinë, apo me të parin e partisë; ndonjëherë të ngrihesh kundër kësaj shpërfilljeje mund të jetë dhe një çështje principi para se të jetë një egoizëm, e aq. Dihet nga ana tjetër se – kjo e shfajëson Zogajn – Edi Rama ka një talent të jashtëzakonshëm, jo për të zgjidhur, por për të krijuar probleme me të vetët, e me njerëzit në përgjithësi. Dihet më në fund se “këtë m…. që është bërë mullar” e kemi dhe prej Ramës, të paktën prej pazotësisë së tij për të frenuar ngritjen e këtij regjimi që është ngritur (kjo nuk justifikon Zogajn, por Shehin e Selamin).
Por të gjitha këto nuk besoj se përbëjnë arsye për të mos parë se përballë kemi regjimin. Selami e ka denoncuar këtë regjim përpara se të ngrihej, dhe nuk ia del ta shohë, ose nuk don ta shohë, tani që është më këmbë. Ndërsa Zogaj ish pickuar disi çuditshëm nga fjala “regjim”, që gazetari Lumezi ia kish futur në një nga pyetjet e intervistës në Panoramën e djeshme. “Është fjalë e madhe, por pa thelb. Ne nuk jemi në opozitë kundër regjimit, por kundër qeverisë”, nuk iu ndejt Zogajt pa saktësuar në atë intervistë. E ndoshta nuk e çon në mendje se thelbi i gjithçkaje është pikërisht këtu, tek përkufizimi i asaj që kemi përballë. Nëse është regjim, duhet të bëhemi bashkë për ta rrëzuar dhe kjo do të ish një ngjarje e madhe. E nëse është thjesht një qeveri, s’ka nevojë të bëhemi bashkë, s’ka nevojë t’i japim peshë rreshtimit të njërit apo tjetrit, s’ka nevojë të dimë se si hidhet pupthi Zogaj e se kur kthehet vrikthi Selami, dhe rrjedhimisht rrëzimi i qeverisë do të ish një ngjarje banale.
Një apel më vjen natyrshëm për Zogajn, Selamin, Shehin, etj: le ta bëjmë të mundur këtë ngjarje banale dhe kemi për t’iu gëzuar të gjithë si një feste të madhe! Edhe për ata s’do ketë më bukur se sa pa Berishën. Do të shpëtojnë njëherë e mirë. Apo janë me idenë se ai s’ka për të ikur edhe po humbi? Epo kjo do duhej të ish një arsye më tepër për ta rrëzuar.
Top Channel