Më 24 mars të vitit 1999, pak pas orës 20:00, NATO filloi bombardimin kundër caqeve të ushtrisë serbe dhe njëkohësisht të parin mision të këtij lloji në historinë e kësaj Aleance. Kjo ngjarje historike për popullin e Kosovës, që tashmë shënon 14 vjetorin, mbetet thellë në kujtesë.

Qerim Gashi nga Prishtina nuk do ta harrojë kurrë atë natë. Kur mori vesh lajmin se çfarë po ndodhte, ai thotë se i dolën lotët nga gëzimi: “Nisa të qaja nga gëzimi sepse më në fund po na ndihmonte dikush në një situatë shumë të vështirë. Thoja me vete se kur do të vijë koha që edhe ne të jetojmë të lirë.”

Fushata ajrore e bombardimeve që zgjati 78 ditë gjunjëzoi ushtrinë e “Kasapit të Ballkanit”, Milosheviçit, e cila këtë periudhë e kishte shfrytëzuar për t’u hakmarrë kundër shqiptarëve. Por në qershorin e vitit 1999 ajo u largua nga Kosova për të mos u kthyer më. Xha Qerimi tregon se gjatë gjithë kësaj periudhe kishte qëndruar në Prishtinë dhe kujton momentin kur trupat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë: “Ka qenë një gëzim i madh për të gjithë popullin e Kosovës. Njerëzit dolën në rrugë me flamuj duke brohoritur.”
 
Ashtu si në çdo përvjetor, drejtues të institucioneve të Kosovës kujtojnë aksionin e parë në historinë e NATO-s për të mbrojtur të drejtën e një populli. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në deklaratën e saj kujton luftën e lavdishme të UÇK-së dhe përpjekjet e brezave që zgjoi ndërgjegjen e botës dhe nxiti ndërhyrjen humanitare të NATO-s. “Ne sot jemi krenarë dhe ndiejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim me njëri-tjetrin”, shkruan Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili asokohe ishte përfaqësues politik i UÇK-së, në deklaratën e së dielës kujton se Aleanca e perëndimit për lirinë e Kosovës ishte rikonfirmim i fuqishëm se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, një luftë në mbrojtje të vlerave kulmore të qytetërimit botëror. “Një dekadë e gjysmë më vonë, Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar demokratik, në rrugë të sigurtë drejt integrimit në BE dhe në NATO, një shtet i tolerancës etnike, qytetare, politike, me një angazhim institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në mesazhin e urimit të kryeministrit Thaçi.

24 marsi i vitit 1999 shënon një fillim të ri të historisë së Kosovës që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj. Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve ndërtoi institucionet dhe më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë, e cila deri më tani është njohur nga rreth 100 shtete dhe ka për synim anëtarësimin edhe në këtë aleancë ushtarake.

Top Channel