Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akademik Isa Mustafa priti të hënën në selinë e LDK-së liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas një komunikate për shtyp nga LDK, gjatë takimit të mbyllur për mediat është biseduar lidhur me dialogun që po zhvillon qeveria e Kosovës me qeverinë e Serbisë, për zhvillimet e tjera politike në vend, si dhe për mundësinë e bashkërenditjes së veprimeve të subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës lidhur me çështje të caktuara.

Kryetari i LDK-së dhe ai i Vetëvendosjes paraqitën qëndrimet e subjekteve politike që drejtojnë lidhur me dialogun. Siç njofton LDK, Mustafa dhe Kurti u pajtuan që grupet parlamentare të shikojnë mundësinë për të bashkëpunuar në Kuvend për çështjet në të cilat këto dy subjekte kanë qëndrime të përafërta.

Dhe, sipas lëvizjes Vetëvendosje, qëllimi i këtyre takimeve është koordinimi për të ndalur dëmet qe po i shkakton qeveria Thaçi Kosovës me dialogun pa kushte dhe rrënimin ekonomik e social si pasojë e korrupsionit.

Është hera e dytë brenda muajit mars që të dy liderët takohen. Takimi i parë mes tyre u zhvillua në zyrën e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, ku bazuar mbi deklaratat për shtyp, temë kryesore ishte çështja e dialogut që po zhvillohet me Beogradin.

Top Channel