Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka nisur organizimin e strukturave për fushatën elektorale të qershorit.
Një peshë kryesore në këtë fushatë pritet të mbajnë të rinjtë e kësaj partie, që janë grupuar në Klubin e Patriotëve të Rinj. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha në takimin e Fierit se këta të rinj janë i vetmi grupim rinor që ka treguar forcën e vet me vepra konkrete dhe jo me fjalë.
Duke folur për projekt-rezolutën për zgjdhjen e çështjes çame, zoti Idrizi u bëri thirrje partive parlamentare të mos drejtohen nga ngjyrat partiake, por të vendosin të parin flamurin kombëtar dhe të votojnë draftin e PDIU-së.
“Nuk votuan bashkarisht tre ligjet që na bashkonin me Europën, por i bëj thirrje që të bëhen bashkë për Camërinë dhe për Shqipërinë. I ftoj të gjithë deputetët e parlamentit të mos shohin rozë apo blu, por të shohin ngjyrën e kuqe të flamurit dhe të votojnë projekt-rezolutën”, theksoi Idrizi.
Përsa i përket zgjedhjeve të 23 qershorit, kryetari i PDIU-së thotë se ka pritshmëri të lartë për rezultatin e tyre: “Jam i bindur se më 23 qershor do të marrim përgjigjen e duhur. Ata që e duan PDIU-në jashtë parlamentit shqiptar, i garantoj që do të jemi të pranishëm aty me 5 mandate deputetësh.”
Top Channel