Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule, dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, do të jenë folësit kryesorë në konferencën “Just BE”, që zhvillohet të hënën në Tiranë.

Fule dhe Kukan pritet të flasin para mediave, shoqërisë civile dhe biznesit, mbi aspektet e ndryshme të integrimit europian.

Sipas burimeve konfidenciale të TCH në Bruksel, idea fillestare e kësaj konference ka qenë që, përkrah komisionerit, në panel të ishin përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës.

Të njëjtat burime konfirmojnë se qeveria shqiptare e ka refuzuar pjesëmarrjen, çfarë ka sjellë edhe ndryshimin e folësve dhe përfshirjen, në momentet e fundit, të Eduard Kukan.

Kjo vizitë ishte parashikuar vetëm për konferencën me qytetarët, shoqërinë civile dhe biznesin, si dhe për inaugurimin e faqes së internetit të Delegacionit të BE-së për integrimin.

Por, megjithëse nuk parashikohet që Fule dhe Kukan të takojnë udhëheqësit politikë në vend, pritet gjithsesi që ata të zhvillojnë takime të ndara në Tiranë, me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, në takimin dypalësh me qeverinë, dhe me kreun e Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushatin, në takimin me opozitën.

Fokusi i bisedave pritet të jenë zgjedhjet e 23 qershorit, retorika nacionaliste dhe reformat për integrimin europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta