
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratimin e një rezolute, që do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Kjo i takon me të drejtë Kosovës, pas përfundimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha kryeministri Thaçi, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Ai udhëtoi drejt Nju Jorkut, nga Brukseli, bashkë me homologun e tij serb, Ivica Daçiç. Por, as ky fakt dhe as dialogu me dyer të mbyllura nuk tregojnë relaksim raportesh mes dy kryeministrave.
Ndërsa kryeministri i Serbisë, në fjalën e tij, iu referua Kosovës si territor i Republikës së Serbisë, duke e quajtur qeverinë e Kosovës një institucion të përkohshëm vetëqeverisës, kryeministri Thaçi, para botës, i quajti të dështuara përpjekjet e Serbisë për krijimin e një republike serbe brenda Kosovës.
Thaçi tha se, barrikadat në veri janë mesazh për ndarje, por që, edhe kjo nuk do të lejohet të ndodhë.
“Fatkeqësisht, roli i Serbisë ende vazhdon të mos jetë konstruktiv dhe, duke përdorur strukturat e saj ilegale, që veprojnë në Kosovë në mënyrë të paligjshme, vetëm sa e ka rënduar edhe më tej situatën politike dhe të sigurisë. Unë përfitoj nga kjo mundësi, që t’i bëjë ftesë përsëri Serbisë, që të jetë e arsyeshme dhe racionale dhe të shfrytëzojë këtë moment historik, i krijuar për arritjen e një marrëveshjeje, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Në përmbyllje të fjalës sime dua të ritheksoj se, në Ballkanin Perëndimor nuk ka më vend për politika konfliktuale dhe luftënxitëse. Përpjekjet për të krijuar konflikte të ngrira janë vetëm investime të dështuara, që për bazë kanë destabilizimin e rajonit”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili duke pasur për kryesues ambasadorin rus në KS, Vitali Çurkin, është më i privilegjuar, kërkoi që Kombet e Bashkuara të mbajnë edhe më tutje UNMIK-un në Kosovë.
Në këtë mbledhje Daçiç u kthye shumë pas në kohë, duke kërkuar hetim për ngjarjet e marsit 2004. Ai foli fare pak për detajet e proçesit të dialogut me Kosovën, ndërsa shtoi se Serbia është e interesuar për paqe në Ballkan, por kjo nuk do të thotë duke njohur pavarësinë e Kosovës.
“Serbia është e gatshme të bëjë dialog, por jo t’i nënshtrohet plotësisht procesit. Së fundi dëshiroj qartësisht të them se Serbia ka treguar gadishmëri për dialogun dhe nuk do të ndryshojë qasjen fillestare për pavarësinë e Kosovës. Dialogu është neutral sa i përket statusit dhe asnjë marrëveshje nuk do të na çojë drejt pavarësisë së Kosovës”, tha Daçiç, kryeministër i Serbisë.
Raporti i përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara, Ferid Zarif, paraqiti Kosovën si një vend jo të qëndrueshëm, me referencë të veçantë tek incidentet kundër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Nga ana tjetër, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat e kanë njohur pavarësinë, siç janë SHBA-të apo Britania, shfaqën shqetësimin e tyre për incidentet në veri kundër punonjësve serbë në zyrën e qeverisë së Kosovës.
Njëkohësisht, aleatët e Kosovës presin që, Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen më dy prill. Por, edhe këtë herë, anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të ndarë, përsa i përket Kosovës.
Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, shprehu shqetësimin për retorikën nacionaliste, siç tha ai, për Shqipërinë e Madhe. Kjo retorikë, sipas tij, përveç se destabilizon Kosovën, është edhe kërcënim i drejtpërdrejtë për shtetet fqinje të Serbisë, si Maqedonia dhe Greqia.
Edhe Argjentina, një shtet që nuk e ka njohur pavarësinë, tha se qëndron prapa Rezolutës 1244, si e vetmja bazë ligjore për Kosovën.
Thaçi: Në rrugën e duhur për marrëveshje
Kryeministri flet pas seancës në KS: Serbia do ta pranojë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar me nota pozitive seancën e zhvilluar pak më parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në një intervistë për VOA, Thaçi ka vënë në dukje se pjesëmarrësit kanë mirëpritur ecurinë e deritanishme të dialogut, ndërkohë që ka theksuar se Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë.
“Të gjithë përshëndetën zhvillimin e dialogut Kosovë-serbi, marrëveshjet për ligjin, në fushën e ekonomisë, etj. Ne kemi dëshmuar se jemi në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes. Ekziston vullneti për atë marrëveshje, që natyrisht nuk është e lehtë”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi ka nënvizuar se, Prishtina ka prezantuar alternativën e saj për rend dhe ligj, për integrimin e qytetarëve të veriut, për shpërbërjen e strukturave paralele serbe dhe për ndalimin e financimit të tyre nga Serbia.
“Ne jemi dakord për asociacionin e komunave serbe, por jemi kundër kompetencave ekzekutive”, ka thënë kryeministri kosovar, i cili ka komentuar edhe deklaratat e Beogradit se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Ne jemi mësuar me deklaratat e Beogradit, që mbetet peng i politikës së vjetër, por realiteti është ndryshe. Kosova është e pavarur, e njohur nga rreth 100 shtete dhe me perspektivë evropiane”, ka nënvizuar Thaçi.
Ai ka shprehur bindjen e tij se, në një të ardhme të afërt, me reformat që po bën, Kosova do të lëvizë drejt BE-së, NATO-s dhe OKB-së, por më parë duhet arritja e kësaj marrëveshjeje, të cilën sipas tij Serbia do të detyrohet ta pranojë.
“Progres në bisedime është regjistruar, por për momentin marrëveshje nuk ka. Ne jemi të gatshëm për ta arritur atë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka shtuar Thaçi.
Top Channel