Αthina dhe Nikosia kanë rënë dakord për blerjen e degëve të bankave qipriote në Greqi, nga institucione financiare greke.
Marrëveshja është arritur pas një diskutimi të kryeministrave të të dy vendeve, me mbështetjen e BQE dhe të Fondit të Stabilitetit Financiar, që do të ndihmojnë me një pjesë të kapitaleve, në rivendosjen e balancave financiare, gjatë procedurës së shitjes. Ajo është vendosur qysh të enjten në mbrëmje, por është bërë e njohur një ditë më pas.
“Me këtë zhvillim, Greqia mbron totalin e depozitave të qytetarëve të saj, në tre degët e bankave qipriote në vend, – ka thënë ministri i Financave, Janis Sturnaras. – Por edhe ana qipriote ka përfitime të konsiderueshme”, – ka shtuar ai.
Ofertën më të mirë, për blerjen e degës së Bankës së Qipros dhe të Bankës Popullore, e ka dhënë Banka e Pireut. Sa i përket degës së institucionit të tretë financiar qipriot në Greqi, Bankës Greke, thuhet se do të funksionojë si bankë e pavarur, sepse nuk është problematike dhe se depozitat e saj janë minimale.
Njoftimi i shitjes do të bëhet vetëm pas deklaratës zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës. Lëvizja e Athinës konsiderohet pozitive për të gjithë qyetarët grekë, që kishin më shumë se 14 miliardë euro depozita në degët e bankave qipriote në vend, si dhe për rreth 5500 nëpunësit në 330 degët e tyre, që mund të mbeteshin të papunë.
Shkrirja e degëve bankare do të jetë e rrufeshme, në mënyrë që, të martën e ardhshme, të hapen me një emër të ri dhe të funksionojnë normalisht.
Top Channel