Që prej mesit të viteve 1980, mungesa e energjisë elektrike është shndërruar në një problem të vazhdueshëm për ekonominë shqiptare. Deri në vitin 2007, nevoja e tregut dhe konsumatorëve asnjëherë nuk u përmbush plotësisht, por pas këtij viti, diçka ndryshoi dhe u duk se situata u stabilizua deri në 2009-n, kur qeveria vendosi privatizimin e OSSH-së, sektorin problematik të shpërndarjes së energjisë, që ka lidhje edhe me faturimin e konsumatorëve.
Në prag të zgjedhjeve të 2009-s, OSSH u privatizua, një kompani me reputacion të rëndësishëm europain, CEZ fitoi tenderin dhe ushtroi veprimtarinë e tij deri në janar 2013, kur pas një marrëdhënie problematike dhe konfliktuale, u mbyll në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë shqiptare. Në një veprim të paprecedent, qeveria pranoi tërthorazi dështimin e privatizimit, duke argumentuar në favor të shtetëzimit, për të mbrojtur interesin e konsumatorëve.
Megjithatë, kjo histori nuk ka përfunduar ende, e në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtarë, vendi ynë rrezikon një penalitet deri në 400 milionë euro, ndërsa sistemi energjitik është zhytur në një krizë që kërcënon deri sigurinë kombëtare.
Për të diskutuar për këtë çështje kaq problematike, emisioni i përjavshëm politik i Sokol Ballës, “Top-Story”, solli përpara opinionin publik një bisedë midis katër ekspertëve të fushës, duke nisur nga zoti Sait Dollapi, administratori i ri i CEZ-it, Alfred Rrushaj, zëvendësministër i Financave në 2009-n dhe këshilltar i kryeministrit Berisha për privatizimit gjatë procesit, Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Energjisë dhe Arben Ahmetaj, deputet i Partisë Socialiste.
I pari që i bëri një ekspoze krizës energjitike në vend, Alfred Rrushaj argumentoi: “Dëmi që CEZ-i ka vuajtur vjen si pasojë e mosrealizimit të kontratës. Ajo që ka ndodhur, arsyeja përse kemi arritur në këtë pikë që jemi sot, me këtë masë ekstreme dhe unike të heqjes së licensës është moszbatimi i kontratës. Privatizimi nuk realizoi objektivat, kjo është e qartë. Nëse është i dështuar, do e trajtojmë më tepër në diskutim. Përse e them? Në një proces që ka një kontratë, përgjegjësia, suksesi apo dështimi qeverisë lidhet me kujdesshmërinë në hartimin e kontatës. Kontrata jonë parashikonte që nëse CEZ-i do të performonte mirë, do të kishte kthim investimesh. Nëse performonte keq, do të vuante humbje dhe s’do të kalonte koston tek konsumatorët. Arsyeja përse ndodhi kështu ishte se në asnjë arsye, performanca e keqe e manaxherëve, nuk u lejua t’i kalonte konsumatorëve shqiptarë. Shqipëria, buxheti i shtetit nuk kanë humbur asnjë lek nga ikja e CEZ-it, përkundrazi, ata lanë 200 milionë euro në Shqipëri”.
Sipas zëvendësministrit të Financave, arsyeja përse ky privatizimi u bë në krye të herës, lidhej me “uljen e mëtejshme të humbjeve dhe heqjen e investimeve të këtij sektori nga detyrimet e shtetit, për të pasur mundësi më shumë fonde për të investuar në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë të vendit”.
Nga ana e tij, ish-zëvendësministri i Energjisë, Pajtim Bello, ndan një mendim krejtësisht të ndryshëm për përgjegjësinë e problemeve në sektorin energjitik, duke fajësuar qeverinë për krizën e krijuar. “Duhet të kemi në konsideratë që privatizimi, që kur u nis, dihej se do të përfundonte kështu. Qeveria u paralajmërua, pasi privatizimi nuk bëhet vetëm bazuar në vullnetin politik. Edhe herë të tjera është diskutuar për privatizimin, e prej pikave kryesore ishte që kompania të ishte e gatshme të hynte në privatizim, sepse suksesi i privatizimit nuk është shitja, por performanca në vazhdim e tij. Nuk mund të thotë qeveria që nuk eci mirë kontrata e ne pas katër vitesh themi nuk ka dështuar. Privatizimi ka dështuar në aspekt politik, juridik dhe nuk mund të mendosh që në një kontratë që janë dy palë, ka dështuar vetëm njëra prej tyre”.
Administratori i ri i CEZ-t, Sahit Dollapi, në momentin e privatizimit nga CEZ-i drejtori i OST-së, foli me gjuhën e shifrave për përgjegjësinë dhe gjendjen aktuale të sistemit të shpërndarjes. “Unë di të them diçka, që privatizimin duhet ta ndajmë në dy pjesë, pjesa e parë me përgatitjen e kompanisë dhe privatizim e pjesa tjetër sa i suksesshëm ka qenë menaxhimi i kësaj kompanie. Përgatitja e kompanisë, dua t’ia kujtoj edhe Bellos, që në vitin 2005 kur nisa të drejtoj OST ishte me 11 milionë kë në ditë për gjithë Shqipërinë ose 11 orë drita në ditë për të gjithë vendin, por u dorëzua me 24 orë drita, 31% humbje. Arkëtimet janë 87 përqind, një performancë e mirë dhe kemi një nivel borxhi të vogël. Se mbaj mend me shifra konkrete, por di që kemi një kredi të vetme për import energjie prej 10 mln eurosh, e dy fatura të KESH-it të papaguara”.
Përsa i përket gjendjes aktuale, zoti Dollapi shpjegoi: “E gjeta CEZ-in me 185 fshatra që u ishte prerë energjia elektrike, me kufizime në disa pjesë të Tiranës, Beratit e Fierit. E kam gjetur me aftësi likuduese shumë të vogla kompaninë. Për një muaj e 20 ditë, nuk ka probleme të furnizimit për shkak të neglizhencës së kompanisë. Në një kohë të shkurtër u sistemuan nënstacionet që për riparimin e thjeshtë të një transformatori nuk punonin, e zonat furnizohen në mënyrë normale. Për një afat të shkurtër kemi liruar gjithë llogaritë e paguara, i kemi shlyer KESH-it 13 milionë dollarë. Kam paguar OST-në për kapacitetet transmetuese, po paguaj energjinë e vjetër të importuar nga CEZ-i. Kishte 7 muaj që kompania ishte e bllokuar dhe për një muaj e 20 ditë, sot kjo kompani është përmirësuar në mënyrë drasike. Humbjet, nga 51,2% në janar, në shkurt 48,12%. Në shkurt, nga 26 milionë dollarë arkëtime, sot kanë shkuar në 31 mln dollarë dhe pritshmëria e marsit është në 36 milionë dollarë”.
Kritika shumë të ashpra dhe akuza për shkatërrimin e zinxhirit elektroenergjitik në vend rezervoi socialisti Ahmetaj. “Është e rëndësishme që i gjithë ky diskutim që të pranishmit këtu tentojnë ta fusin në një rrugë teknike është i gabuar, sepse jemi duke folur për një monopol shtetëror, një monopol universal në logjikën e të vepruarit si sektor, që kaloi nga shteti në duart e privatit. Për hir të së vërtetës, CEZ është një kompani shumë e mirë në Pragë e në disa vende të tjera. Nuk dua t’i referohem kompanisë, që është një aktor dhe jo përgjegjës. Në fakt, në Shqipërinë tonë, përgjegjëse është qeveria shqiptare për gjithcka, aq më tepër në një sektor si ky që është monopol e ka të bëjë me furnizimin e energjisë, shëndetshmërinë ekonomike dhe sigurinë kombëtare”.
Për Ahmetajn, “patjetër që ishte një privatizim politik. Kryeministri Berisha tha se privatizimi do të ulë korrupsionin e do të përmirësojë manaxhimin. Mos të harrojmë skemën e dorëzimit të dosjes për statusin e vendit kandiat, tek kryeministri cek, që kishte atëherë presidencën e radhës. Privatizimi duhet të kishte përmirësuar performancën në sektor. Enti rregullator, ministri dhe kryeministri janë përgjegjës, nëse nuk ecte manaxhimi dhe investimet. Në qoftë se “CEZ Pragë” sillte njerëz të paaftë, si e lë ti katër vjet? Pra në momentin që vjen në 2012-n, ke dëm 1,2 mld borxhe. Këtu i është shkaktuar Shqipërisë një dëm i tillë, pasi nëse zinxhiri elektronergjik prishet, KESH-i me humbje dhe CEZ-i në gjendje dramatike, prodhuesit e vegjël nuk paguhen, akumulohen borxhet dhe e gjithë kjo kur çmimi për konsumatorin është rritur me 200%. E të mos harrojmë, që kjo krizë është futur edhe në buxhetin e shtetit, që ka financuar humbjet për të mbajtur të pandërprerë furnizimin me energji elektrike”.
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj deklaroi se i gjithë sistemi energjitik shqiptar është në kolaps të plotë dhe po shkon drejt falimentit dhe për këtë fajtore kryesore, sipas tij, është qeveria bashkë me mekanizmat nën varësinë e saj, si Enti Rregullator i Energjisë. “Energjitika është drejt falimentit. Kush e ka fajin? Qeveria e Shqipërisë e ka fajin, ka përgjegjësi nga institucionet e saj si Enti, Ministrinë apo pronësinë mbi OSSH-në. Tek CEZ-i dëmi është shumë i madh. Komplet sistemi energjitik është në faliment që rendon tek qytetarët shqiptarë. Koston e kanë faturat e tyre që është rritur cmimi dyfish. Ka edhe CEZ-i përgjegjësi, përgjegjësi që devijoi në një vend si Shqipëria nën presion apo jo, devijoi nga praktikat e manaxhimit të mirë sepse mbi kokë kishte qeverinë që ishte e papërgjegjshme. Ministri i Financave ka thënë në një mbledhje Komisioni se nuk e dimë sa do të shkojë gropa në buxhet e lënë nga energjia”, tha zoti Ahmeti.
Por zv.ministri i Financave, Alfred Rrushaj i quajti abuzive deklaratat e Ahmetajt. “Është abuzive deklarata e Ahmetaj. Në fund të vitit borxhi që CEZ ka ndaj KESH është i larë, sipas deklaratave të zotit Dollapi. CEZ-i ka ngrënë këtu 200 mln euro dhe më tepër, ky është dëmi që i ka sjellë buxhetit. Por kontrata parashikon performancë pozitive dhe nëse nuk e realizon, rrit faturën dhe qeveria ka të drejtë të kërkojë atë që quhet fitimi i munguar. Është kërkuar të arrihet një marrëveshje dhe qeveria s’ka pranuar asnjëherë që kostoja t’u kalojë qytetarëve. Ky është thelbi që CEZ ka ikur”.
Deputeti Ahmetaj shtoi se nga 2010 kapitali i CEZ ka zbritur dhe se arkëtimet e kompanisë në Shqipëri, kanë rënë. Ndërsa administratori Dollapi deklaroi se në pak kohë që ka marrë nën dorëzim CEZ-in të ardhurat janë rritur ndjeshëm, e para duke prishur kontratat miliona euroshe me kompani të treta.
Ish-zv.ministri i Energjitikës, Pajtim Bello deklaroi se e gjithë kriza në sistemin energjitik shqiptar erdhi si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë e cila nëpërmjet Entit Rregullator toleroi CEZ-in në dy vitet e para të sipërmarrjes në Shqipëri. Bello tha se në arkat e CEZ dhe kompanive palë të treta janë derdhur para nga buxheti i shtetit për të ndihmuar kompaninë.
Akuza e zotit Bello u mohua nga zv.ministri i Financave, Alfred Rrushaj. Zoti Rrushaj tha se asnjëherë qeveria nuk ka derdhur asnjë qindarkë në asnjë kompani.
Por a ishte vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për prishjen e kontratës me CEZ-in një vendim i drejtë? Administratori i CEZ-it, Sait Dollapi tha se nuk është në pozita për të vlerësuar vendimin, por deklaroi se në thuajse dy muaj punë, është arritur të përmirësohet rrënjësisht furnizimi.
“Nuk jam në pozitat që të kuptoj a ishte i drejtë apo jo ky vendim i marrë nga Enti Rregullator dhe qeveria. Enti është organi i vetëm mbikqyrës i CEZ-it. Brenda një afati 2-mujor situata ka ndryshuar. Drejtimi i kompanisë në këtë situatë është përmirësuar, është përmirësuar rrënjësisht furnizmimi, po i kthehen përgjigje klientëve, janë rregulluar marrëdhëniet mes kompanisë dhe gjithë institucioneve shtetërore. Qëllimi numër një ka qenë ulja e shpenzimeve dhe ndaj hoqa shërbimet e palëve të treta, që ishin dy kompani që përfitonin mbi 100 mln euro”, tha zoti Dollapi.
Ish-zv.ministri Bello vlerësoi se prishja e kontratës nuk ka qenë rruga e vetme, por se nuk u tentua për të gjetur rrugë tjetër. Bello fajësoi sërish qeverinë për dështimin e privatizimit, e cila sipas tij ka lënë krejtësisht jashtë kontrollit monitorimin e CEZ pas privatizimit të këtij sektori.
Cila është e ardhmja e sektorit energjitik shqiptar? Nisur nga fakti që në qershor zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, deputeti socialist, Arben Ahmetaj tha se liberalizimi i sistemit të shpërndarjes nxjerr nga kriza sistemin dhe ul koston për qytetarët.
“Do të mbrojmë interesat e konsumatorit dhe Shqipërisë. Liberalizim të shpërndarjes së sistemit. Modeli i ri do të ulë cmimin e energjisë, do rritet baza e atyre që paguajnë faturat”, tha zoti Ahmetaj, ndërsa më parë akuzoi administratorin Dollapi për emërime politike në sektorët kyçë të CEZ.
Zv.ministri i Financave Rrushaj e quajti qesharake idenë e liberalizimit të shpërndarjes. Ai mbrojti drejtimin aktual të kompanisë edhe pas zgjedhjeve në rast të fitoreje të Partisë Demokratike. “Administratori po risjell kompaninë në nivelet ku duhet të jetë. Alternativa jonë është e thjeshtë, do të vazhdojmë mirëmenaxhimin e kompanisë dhe gjyqin në arbitrazh. Do kërkojmë dëmshpërblim ndaj kompanisë dhe do vazhdojmë të liberalizojmë tregun”, tha Rrushaj.
Për zotin Bello i gjithë sistemi i energjitikës ka nevojë për një reformim total, reformim që sipas tij nuk mund të bëhet nga një kompani e aq më pak nga një administrator i saj, por duhet të përfshihet edhe qeveria.
“CEZ dhe sistemi i energjisë ka nevojë për një reformë sepse janë krijuar një sërë problemesh, rrjeti ka humbje jashtëzakonisht të larta. Këtu duhet të ndërhyjë qeveria me gjithë institucionet e saj, sepse s’mund të lihet në dorë të një kompanie dhe një administratori. Duhet të minimizohen vjedhjet”, deklaroi Bello.
Top Channel