Objektivat e përbashkëta SHBA-Izrael

20/03/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndajnë se bashku të njëjtat objektiva, të njëjtat qëllime. Ky ishte mesazhi kryesor që dhanë në konferencën e përbashkët për shtyp presidenti amerikan, Barack Obama dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyanu.

Duke folur para gazetarëve nga Jeruzalemi, dy liderat deklaruan se ranë dakort për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur. Lidhur me kundërshtitë sa i përket programit bërthamor iranian, si Obama ashtu dhe Netanyahu deklaruans e ato janë “vogëlsira”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se Teheranit i duhet më shumë se një vit për të patur bombën bërthamore, ndërsa Izraeli thotë se programi i Republikës Islamike ka avancuar dhe faza finale mund të afrojë në vjeshtën e këtij viti.

Por pavarësisht mospajtimit për distancën kohore, si Obama ashtu dhe Netanyahu deklaruan se janë të vendosur për të mos lejuar një Iran bërthamor. Kryeministri izraelit tha se një gjë e tillë përbën kërcënim për sigurinë jo vetëm në rajon, por në mbarë botën, ndërsa Obama ritheksoi se ka ende hapësirë për diplomacinë, por u shpreh skeptik për të.

“Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që Irani të ketë bombën bërthamore. Kemi shpresa që gjithcka të zgjidhet në bisedime. I kemi dhënë një mundësi Iranit dhe shpresojmë, pavarësisht se qendrimet e mëparshme të Iranit na bëjnë pesimist, që ai të ecë në këtë rrugë, të ecë në derën e bisedimeve”, tha Obama.

Lidhur me bisedimet e paqes me palestinezët, presidenti amerikan tha se pavarësisht vështirësive që dalin, ato duhet të vazhdojnë mes dy palëve. Ai shprehu angazhimin e Uashingtonit për të ndërmjetësuar në këtë proces.

Presidenti Obama mbërriti ditën e mërkurë në Izrael. Në aeroportin Ben Gurion ai u prit nga presidenti i izraelit Shimon Peres dhe kryeministri Netanyahu. Kjo është vizita e parë e tij si president në shtetin hebre. Në vizitën e tij, Obama do të ndalet edhe në Ramallah për t’u takuar me udhëheqësit e Autoritetit Palestinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA