Itali, Parlamenti shkurtime të kostove

20/03/2013 00:00

Parlamenti i ri italian nis punimet duke planifikuar para së gjithash
shkurtime të kostove. Kryetarja e Dhomës së Deputetëve Laura Boldrini
dhe kryetari i Senatit Piero Grasso bënë të ditur se do të shkurtojnë
pagat e tyre në masën 30%.

Ata duen të japin shembullin personal dhe të nisin kështu rishikimin e kostove, që synohen të ulen deri në 50%.Gjithashtu bëhet e ditur se do të rritet numri i orëve të punës së dy Dhomave të Parlamentit të cilat do të qëndrojnë të hapura nga e hëna në të premte.

Parashikohen shkurtime të shpenzimeve të tjera si ato të banimit të deputetëve, ato të udhëtimeve e të dietave të ndryshme. E njëjta strategji do të ndiqet në administrimin dhe mirëmbajtjen e godinave dhe impianteve. Për të arritur një transparencë maksimale, në faqet e internetit të Parlamentit do të botohen të gjitha të dhënat dhe shpenzimet lidhur me konsulencat e ndryshme.

Privilegjet e deputeteve dhe senatorëve italianë janë vërtet të mëdha. Llogaritet që përveç pagave shumë të larta, rimbursimeve të ndryshme apo dietave për shërbime, ata kanë përfitime të mëdha edhe sepse një sërë shërbimesh i kanë pa pagesë. Shërbimi shëndetësor për ta dhe familjen është falas, ashtu siç janë falas udhëtimet me trena, tragete apo avione të linjave kombëtare, privilegj ky që nje deputet e ruan deri dhjetë vjet pasi i mbaron mandati.Sigurisht që kriza nuk kapërcehet e llogaritë e shtetit nuk rregullohen duke shkurtuar pagat e deputeteve. Por të paktën këtë herë mbërriti një sinjal konkret ndryshimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA