Ditën e martë, Ministri i Buxhetit në Francë, Jerome Cahuzac njoftoi dorëheqjen e tij nga kabineti qeveritar pas akuzave të lëshuara ndaj tij për shmangie të taksave.
Postin e lënë bosh prej tij do ta marrë ministri aktual për Europën, Bernard Cazeneuve. Në kohën që emri që do të pasojë Cazeneuve në Ministrinë e Europës mbetet për t’u përcaktuar, një fakt interesant është që për të parën herë në qeverinë franceze femrat janë mazhorancë.
Aktualisht qeveria në Francë ka 37 ministra, 19 prej tyre janë femra dhe 18 meshkuj, përjashtuar këtu kryeministrin Ayrault. Nëse do të përfshihej edhe ky i fundit, atëherë kabineti qeverisës në Paris është në barazi të plotë gjinore.
Përfshirja e grave në politikë ka qenë mbresëlënëse në Francë në 20 vitet e fundit. Në vitin 1995 në qeveri vetëm 27 përqind ishin femra, shifër kjo që gradualisht u rrit për të ardhur në ditët e sotme ku ka barazi të plotë.
Megjithatë, sfidë për shoqatat e grave dhe politikën në Francë mbetet përfaqësimi i grave në parlament, ku ende janë minorancë.
Top Channel