Presidenti ofendon gjyqtarin nga fonia e stadiumit

19/03/2013 12:55

Për të gjithë ata që mendojnë se sharjet e gjyqtarëve në kor në stadiumet shqiptare janë të papërsëritshme në vendet e tjera, kundërshembulli vjen nga Çeçenia, ku ofendimet bëhen nga fonia qëndrore e stadiumit.

Përjashtimi i kapitenit të skuadrës vendase, Terek Grozni, gjatë një ndeshje të Kampionatit Rus të Kategorisë së Dytë, i kushtoi rëndë gjyqtarit Mikhai Vilkov, që u bë viktimë e një abuzimi të padëgjuar verbal, nga ana e presidentit të klubit, njëkohësisht i Republikës Çeçene, brenda Federatës Ruse.

Sekonda pas nxjerrjes së kartonit të kuq, presidenti Ramzan Kadyrov u ngjit në dhomën ku komandohej fonia e stadiumit dhe nga autoparlantët nisi të dedikonte disa fraza për nënën, motrën dhe familjarët e tjerë të arbitrit.

Stadiumi, i cili fillimisht shtangu, iu bashkua në një pjesë të madhe këtij kori, nismëtar i të cilit u bë vetë presidenti Kadyrov.

Një njeri që ka drejtuar Çeçeninë me “grusht të hekurt” që prej vitit 2005, Kadyrov është i biri i presidentit Akhmad, i cili u vra në një atentat në stadium duke parë një ndeshje të Terekut, kur poshtë ulëses i kishin vendosur një sasi të madhe eksplozivi, që shkaktoi vdekjen e disa dhjetëra spektatorëve gjithashtu.


Ramzan Kadyrov, ne stadium me truprojat e tij te armatosura rende

Babai dhe tashmë i biri, në këmbim të besnikërisë ndaj Moskës zyrtare dhe shtypjes së lëvizjeve separatiste dhe militante në Çeçeni, janë shpërblyer nga presidenti Putin me dhënin e “dorës së lirë” në krahinë, përfshi në aktivitete kriminale, që kanë lulëzuar nën drejtimin e njerëzve të familjes së presidentit.

Pas këtij incidenti, Kadyrov i kërkoi ndjesë komunitetit të futbollit dhe rusëve për fjalët “aspak të hijshme”, por theksoi se nuk do t’i kërkonte falje gjyqtarit, sepse “ndonëse nuk duheshin thënë, ato fjalë i meritonte”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA