Vendi i dytë i Alonso-s dhe ai i katërt i Massa-s në Çmimin e Madh të Australisë kanë kënaqur Ferrari-n dhe presidentin e tyre, Luca di Montezemolo.
“Shpresëdhënësja F138 ka mbajtur premtimet, – ka deklaruar një ditë pas daljes së parë sezonale të “kokëkuqes”. – “Bëmë atë që prisnim, – vazhdoi ai, – një garë të mirë, kundrejt Red Bull-it dhe Vettel-it. Ata janë rivalët tanë më të fortë. Por, tani për tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”.
Objektivi i Ferrari-t përpara garës ishte ngjitja në pod dhe kjo është arritur me Fernando Alonso-n. “Kemi nisur kampionatin në një mënyrë pozitive, – shpjegon Montezemolo, – që psikologjikisht i bën mirë skuadrës: teknikëve, mekanikëve por edhe pilotëve. Ishte e rëndësishme ta nisnim mirë, gjë që viteve të fundit nuk ka ndodhur”.
Vendi i parë në klasifikimin e kontruktorëve, pas vetëm 1 gare, nuk e çorienton presidentin e Ferrari-t: “E dimë se duhet ta përmirësojmë më tej ‘kokëkuqen’, e cila nuk është më e shpejta. Por, të zhvillosh më tej një makinë që e ka nisur mirë, do të jetë më e lehtë”.
Top Channel