Egjipt, arrestohet kushëriri i Gaddafit

19/03/2013 16:40

Policia egjiptiane ka arrestuar një kushëri dhe bashkëpunëtorë të afërt të ish-liderit libian Muammar Gaddafi.

Ahmed Gaddaf al Dam ishte i dërguari i posaçëm i qeverisë së Tripolit në Kajro për shumë vite dhe la Libinë për në Egjipt pak kohë pas kryengritjeve të vitit 2011 kundër kolonelit.

Edhe pse i kërkuar që prej atëherë nga autoritetet e reja libiane, akuzat ndaj tij janë ende të panjohura.

Forcat egjiptiane të sigurisë rrethuan shtëpinë e tij në Kajro dhe mes tyre dhe rojeve pati një shkëmbim zjarri para se kushëriri i kolonelit të dorëzohej.

Gjithësesi, rrethanat e arrestimit mbeten të paqarta. Automjetet e forcave egjiptiane ishin dërguar gjatë natës në shtëpinë e Gaddaf al Dam, në lagjen Zamalek të kryeqytetit egjiptian.

Vetë Al Dam u tha mediave të huaja se truprojat e tij ishin përleshur me forcat egjiptiane për shkak se nuk ishin të sigurta për identitetin e tij. Ende nuk dihet nëse ndokush ka mbetur i plagosur.

Fotot e bëra nga reporterët e mediave ndërkombëtare tregojnë zotin Gaddaf al Dam në një makinë, i buzëqeshur dhe duke përshëndetur kameramanët nga një makinë që largohet nga shtëpia e tij.

Vetë Al Dam e mohoi arrestimin duke thënë se ishte duke u paraqitur me vullnetin e tij tek zyra e prokurorit të përgjithshëm egjiptian, për të bërë një ankesë.

Personi në fjalë ka qenë një figurë e profilit të lartë e regjimit të kolonelit Gaddafi, thotë korrespondentja e BBC në Libi, Rana Jawad.

Libia i ka kërkuar vazhdimisht Kajros që t’i dorëzojë ish-anëtarët e regjimit të Muammar Gaddafi, të arrestuar në territorin egjiptian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA