Irakenët do të ishin rebeluar kundër Saddam Hussein nëse nuk do të kishte pasur pushtim dhe situata do të kishte qenë shumë më e keqe sesa ajo që është aktualisht në Siri.
Kështu ka deklaruar ish-kryeministri britanik Tony Blair për BBC, në prag të 10-vjetorit të pushtimit të Irakut nga trupat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA dhe Britania.
“Irakenët më parë ishin ngritur në numër të madh dhe në numër edhe më të madh ishin vrarë nga regjimi”, ka kujtuar Blair. Pushtimi që shënoi dhe nisjen e luftës në Irak nisi më 20 mars 2003.
Britania e Madhe ka humbur gjatë kësaj lufte 179 ushtarë, meshkuj dhe femra, 136 prej të cilëve janë vrarë në aksion, përpara se trupat britanike të nisnin tërheqjen në prill të vitit 2009.
Në intervistën për BBC, Blair ka theksuar se, nëse nuk do të kishte qenë pushtimi, në Irak do të kishte pasur pa dyshim rebelime popullore për të rrëzuar regjimin.
“Mendoj se nëse Saddam do të ishte ende në pushtet, me siguri do të kishte kryengritje nga populli. Në një rast të tillë mendoj se situata do të bëhej e ngjashme me Sirinë dhe me shumë gjasa shumë më keq”, ka vijuar Blair.
Duke u fokusuar tek Siria, ish-kryeministri britanik ka paralajmëruar Perëndimin se mund të paguajë një çmim të lartë nëse nuk vendos të ndërhyjë në vendin arab.
Mijëra sirianë kanë humbur jetën në betejat mes forcave besnike të presidentit Bashar al Assad dhe atyre që kundërshtojnë regjimin e hekurt të tij.
Në intervistën e tij të gjatë për BBC, zoti Blair është shprehur se i vjen keq për jetët e humbura në Irak, por thekson se nuk ndjen asnjë pendesë për vendimin për rrëzimin e Hussein.
Të dhënat konservative tregojnë se Irakenët e vrarë gjatë pushtimit dhe ata nga dhuna sektare në vend janë rreth 100 mijë.
Top Channel