
Të paktën 18 persona janë arrestuar në Arabinë Saudite nga autoritetet lokale, nën akuzën e spiunazhit.
Televizioni shtetëror lokal informon se të dyshuarit, një iranian, një libanez dhe 16 sauditë, janë pjesë e një celule spiunazhi që punonte për llogari të një shteti tjetër.
“Ata po mblidhnin informacione për instalimet dhe zonat jetike të vendit, të cilat ia kalonin agjencive të inteligjencës të shtetit tjetër”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, pa përmendur se për cilin shtet bëhej fjalë.
Arrestimet u kryen katër ditë më parë dhe të dyshuarit janë hetuar imtësisht para se t’u dorëzoheshin autoriteteve gjyqësore, saktësoi zëdhënësi.
Sipas tij, arrestimet u kryen përmes operacioneve të ndryshme të koordinuara në të njëjtën kohë, në katër rajonet e mbretërisë, përfshirë këtu kryeqytetin Rijadh dhe qytetin e shenjtë të Mekës.
Arrestime janë kryer gjithashtu në Provincën Lindore, ku është përqendruar dhe minoriteti mysliman shiit i mbretërisë, njoftoi më tej zyrtari.
Arabia Saudite, që ka një popullsi të dominuar nga myslimanë sunitë, ka pasur së fundmi përplasje të vazhdueshme me Iranin, që është një komb me shumicë shiite.
Tensionet u thelluan vitin e kaluar kur Arabia Saudite vendosi trupa në Gjirin e mbretërisë së Bahreinit, për të ndihmuar në shtypjen e një kryengritjeje shiite që po mbahej atje.
Top Channel