SHBA, “JP Morgan” fshehu humbjet

15/03/2013 14:50

Banka më e madhe amerikane e investimeve, “JP Morgan”, u akuzua për fshehjen e humbjeve të saj në transaksionet financiare, nga një panel i Senatit Amerikan ditën e premte.

Banka humbi rreth 6,2 miliardë dollarë në transaksione gjatë vitit të shkuar, si rrjedhojë e gabimit të vetëm të një punonjësi, me pseudonimin “Balena e Londrës”.

Bruno Iksil, tregëtari që realizoi gabimin e vetëm më të kushtueshëm të historisë, u vesh me nofkën “balenë”, pasi veprimet e tij ishin në gjendje që të trondisnin tregjet ndërkombëtare.

Në komitetin e Senatit, u vlerësua se “JP Morgan” mashtroi investitorët dhe injoroi rreziqet.

”Banka luajti bixhoz me miliarda dollarë, të cilët u përdorën për të realizuar lëvizje ekzotike financiare, me një risk të madh humbje. Më pas, qëllimisht u fshehën këto humbje nga investitorët dhe publiku, duke treguar një mungesë totale përgjegjësia për procedurat e manaxhimit, transparencën dhe sistemet rregullatore”, akuzoi senatori John McCain, një ish-kandidat republikan për president në 2008-n.

Në një përgjigje, banka theksoi: “Ndërsa jemi të përgatitur të njohim gabimet tona, sigurojmë se bordi dhe manaxherët tanë punuan në mirëbesim”.

”JP Morgan” shtoi se “asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i saj”, që të mashtrojë mbi të ardhurat dhe të mbajëtë fshehura detaje të transaksioneve financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA