Korea Veriut: SHBA, luftë kibernetike

15/03/2013 09:10

Korea e Veriut akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe aleatët e tyre për koordinimin e një sulmi mbi serverat e internetit të shtetit komunist, ndërsa tensioni në Gadishullin Korean vazhdon të rritet.

Korea e Veriut ka nisur përgatitjet për luftë, ndërsa në 11 mars anulloi armëpushimin që vendosi paqen midis dy Koreve, pas luftës së përgjakshme të viteve 1950-53.

Kërcënimit i Penianit ndaj fqinjëve “kukull të SHBA-ve” për shfarrosje bërthamore, Seuli i është përgjigjur me mobilizimin e disa divizioneve dhe stërvitjen e përbashkët të përgjithshme me trupat amerikane të vendosura në vend.

Tensionimi i situtaës, më i rrezikshmi në shumë vjet, erdhi si pasojë e reagimit të ashpër të Penianit, pas vendosjes së disa sanksioneve ndërkombëtare, për shkak të provave të paautorizuara bërthamore dhe lëshimit të një sateliti në hapësirë, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë, në shkurt dhe dhjetor 2012, përkatësisht.

Në një artikull të publikuar të premten në Agjensinë Koreane të Lajmeve “KCNA”, ditën e premte, u lëshuan akuza në drejtim të “sulmeve të përsëritura kibernetike të amerikanëve dhe aleatëve të tyre”.

Në ditët e fundit, disa faqe zyrtare, si ajo e “KCNA”, “Air Koryo” dhe e gazetës “Rodong Sinmun” kanë qenë të paaksesueshme në disa raste.

Në mediat ndërkombëtare u besua se diçka e tillë ndodhi për shkak të veprimeve të Penianit për të prerë kontaktet me botën e jashtme, në vijim të përkeqësimit të situatës në gadishull, por tashmë Korea e Veriut fajëson këtë sulm kibernetik ndaj sistemeve të saj për bllokimin.

Korea e Veriut operon me dy sisteme interneti. Për popullsinë, i aksesueshëm është vetëm një internet i brendshëm krejtësisht i censuruar, ndërsa vetëm drejtuesit e lartë mund të hyjnë në internet pa kufizime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA