Drejtori artistik i teatrit Bolshoi në Moskë mund të rekuperojë mjaftueshëm shikimin e tij për të rifilluar punën, deklaruan mjekët që po e kurojnë atë në një spital të Gjermanisë.
Sergei Filin ishte viktimë e një sulmi me acid në fytyrë në Janar, që i dëmtoi atij sytë dhe fytyrën. Ai u shfaq në një konferencë shtypi përkrah doktorëve, duke mbajtur syze të errëta dielli dhe një shall, përmes të cilit mbulonte pjesën e dëmtuar të lëkurës.
Një balerin i teatrit të Moskës u arrestua para disa ditësh lidhur me sulmin. Pavel Dmitrichenko akuzohet se ka orkestruar sulmin me acid sulfurik.
Në konferencën e së premtes, doktori Martin Hermel deklaroi se Filin mund të rekuperojë mjaftueshëm shikimin për të mundur t’i rikthehet punës.
Por nga ana tjetër mjekët paralajmëruan se një dëmtim i tillë në sy kërkon mjekim afatgjatë dhe kompleks dhe parashikuan se zotit Filin do t’i duhet të kalojë disa muaj në trajtim.
Kur ai shkoi në Gjermani për mjekim, në muajin shkurt, u tha gazetarëve se shikimi i tij ishte “i mjegullt”. Në konferencën për shtyp ai tregoi gjithashtu se si mjekët po testonin shikimin e tij, duke i kërkuar të numëronte gishtat përpara fytyrës.
Mjekët paralajmëruan gjithashtu se shenjat në fytyrë të shkaktuara nga acidi ka gjasa të jenë të përhershme. “Acidi ka shkatërruar të gjitha shtresat e lëkurës në fytyrën e tij”, tha profesori Norbert Pallua, kirurgu plastik i artistit.
Ndërsa Filin, nga ana e tij, u shpreh se nuk ka frikë nga kthimi në punë në teatrin e baletit, pavarësisht zërave se Dmitrichenko ishte përgjegjës për sulmin.
Top Channel