Gjermani, emra të rreme fëmijëve “të padëshiruar”

14/03/2013 04:00

Kabineti qeverisës në Gjermani ka hartuar një projekt-ligj, i cili lejon gratë me shtatëzani të padëshiruar të lindin në spitale, por me emra të rreme.

Projekt-ligji synon të reduktojë lindjet e pasigurta, si dhe t’u japë nënave një alternativë tjetër nga braktisja e fëmijëve nga shtatëzani të padëshiruara, në ato që quhen kutitë e fëmijëve.

Fëmijët do të kenë mundësi të njohin identitetin e nënës së tyre pasi të kenë mbushur 16 vjeç, sipas këtij projekt-ligji. Numri i fëmijëve të lënë në rrugë është rritur anembanë Europës.

Kritikët thonë se kjo praktikë deprivon fëmijët nga identiteti i tyre dhe inkurajon nënat të lindin në kushte të pasigurta jashtë spitaleve.

Vitin e kaluar, Komiteti i OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijëve paralajmëroi se ky ligj “shkel të drejtën e fëmijës për t’u njohur dhe për të fituar përkujdesjen e prindërve të tij”.

Afro 1000 fëmijë gjermanë janë lindur në kushte anonimiteti, apo javë gjetur në kutitë e fëmijëve, mes viteve 1999-2010, sipas shifrave zyrtare.

Me këtë projekt-ligj konfidencial për lindjet, nënat do të mund t’i lindin fëmijët në spitale dhe do të kenë mundësi t’u vënë emra të rreme në çertifikatat e lindjes. Fëmija mund të jepet për adoptim më pas.

Të dhënat e tyre do të mbyllen në një zarf dhe do të ruhen në një agjenci qendrore për 16 vjet, kohë në të cilën fëmija do të ketë mundësi të gjejë identitetin e vërtetë të së ëmës.

Ministrja gjermane për çështjet familjare, Kristina Schroeder, tha se shpreson që propozimi do t’i kthente kutitë e fëmijëve si të panevojshme. Propozimi mund të kthehet në ligj në maj 2014, nëse kalohet nga parlamenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA