Fernando Alonso u shpreh se objektivi i parë i tij është që të nisë me këmbë të mbarë sezonin e ri të Formulës 1, edhe pse “pistat e Australisë dhe Malajzisë janë të vështira”.
Piloti spanjoll i Ferrarit theksoi në prag të garës së parë të sezonit se skuderia italiane është më mirë krahasuar me këtë periudhë të vitit të kaluar: “E kemi kuptuar më mirë makinën dhe kemi më shumë besim. Do të jetë e vështirë të nisim kampionatin më keq seç bëmë vjet.”
“Shpresoj që të jetë një kampionat interesant dhe që të fitoj pikë të rëndësishme në dy garat e para. Është shumë e rëndësishme të nisemi me këmbë të mbarë”, shtoi dy herë kampioni i botës.
Kur u pyet për Sebastian Vettel, pilotin i cili ka fituar 3 kampionatet e fundit, Alonso u përgjigj: “Nuk kam çfarë them. Tre herë kampion dhe ka thyer shumë rekorde. Nuk është vetëm merita e Red Bullit sepse një makinë të shpejtë duhet të dish ta shfrytëzosh. Do të jetë një kundërshtar i vështirë.”
Gara e parë e sezonit të ri të Formulës 1 do të zhvillohet të dielën, në orën 07:00 me orën shqiptare.
Top Channel