Siri, embargo e armëve, Britania veto në BE

13/03/2013 04:20

David Cameron ka bërë të ditur se Britania e Madhe mund të konsiderojë vendosjen e vetos, në lidhje me zgjatjen e embargove të armëve nga Bashkimi Europian drejt Sirisë.

Embargoja pritet të rinovohet në maj, por kryeministri britanik tha se kjo është diçka “që na lejon të bëjmë gjëra sipas mënyrës tonë”.

Qeveria ka premtuar gjithashtu se do t’u ofrojë ndihma forcave kundër presidentit Assad. Cameron shtoi se Britania është “ende një shtet i pavarur”, pavarësisht se ai shpreson që e gjithë BE-ja të arrijë në një marrëveshje.

Javën e kaluar, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, William Hague, tha se qeveria mund t’u ofrojë mjete të blinduara dhe mburoja trupore për forcat opozitare në Siri, “për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve”, si dhe disa miliona paundë në pajisje, përfshi materiale për kërkim-shpëtimin, komunikimin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Pothuajse 70 mijë persona janë vrarë në Siri dhe miliona refugjatë janë larguar nga vendi, që prej fillimit të luftimeve 2 vite më parë.

Shifrat e fundit të OKB-së tregojnë se 2 milionë banorë kanë ndërruar vendbanime brenda kufijve shtetërorë, ndërsa rreth 400 mijë kanë shkuar jashtë, që prej fillimit të vitit, teksa pjesa më e madhe kanë gjetur strehim në Jordani, Liban, Turqi, Irak dhe Egjipt. Britania ka ofruar 139 milionë paundë për ndihma në lidhje me ngritjen e kampeve të refugjatëve.

Anëtarët e BE-së janë të ndarë nëse do ta heqin embargon, teksa disa shtete, si Gjermania, shqetësohen se ky veprim do të çojë në shtimin e armëve në Siri dhe në rajonin përreth.

Franca del në mbështetje të Britanisë, sa i përket disa lehtësirave të kufizimeve. Cameron tha: “Shpresoj që ne të mund t’i bindim partnerët europianë, nëse dhe kur do të jetë i nevojshëm një ndryshim i mëtejshëm, shpresojmë që ata të bien dakord me ne. Por, nëse nuk e arrijmë këtë marrëveshje, atëherë është mëse e qartë se ne mund t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës tonë. Kjo është diçka e mundur. Nuk e uroj këtë gjë, pasi dua që të vazhdoj në të njëjtën linjë me BE-në”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA