Mourinho: Qëndrimi im nuk varet nga rezultatet

13/03/2013 19:25

Nuk do të jenë rezultatet deri në fund të sezonit ato që do të përcaktojnë nëse Jose Mourinho do të vazhdojë të drejtojë Realin e Madridit në edicionin e ardhshëm, të paktën duke gjykuar nga vetë fjalët e trajnerit.

Në një intervistë të publikuar gjatë së mërkurës në të përditshmen “The Sun”, portugezi shprehej se “asnjëherë nuk e kam bazuar vendimin e qëndrimit apo ndryshimit të skuadrës nga rezultatet. Unë punoj çdo ditë duke menduar vetëm më të mirën për klubin tim. Asnjëherë nuk kam menduar për vete gjatë një sezoni në zhvillim”.

Megjithatë, Mourinho zhvlerësoi rëndësinë e 10 ditëve më të mira të Realit që prej mbërritjes së tij, me dy fitoret ndaj Barcelonës dhe kualifikimin përballë Manchester United. “Ishte një seri e mirë fitoresh, por kam pasur edhe më mirë. Si serinë më të mirë mbaj mend tre fitoret radhazi, në fund të sezonit me Interin. Mundëm Romën në finalen e Kupës së Italisë, pastaj Sienën dhe garantuam titullin në Serinë A, përpara suksesit me Bajernin në finalen e Champions League”.

Në intervistë, portugezi shprehu edhe admirimin e tij të thellë ndaj një ikone të Premier League dhe futbollit botëror, Ryan Giggs. “I pabesueshëm, është e vetmja fjalë që mund të përshkruajë atë që ka arritur ky futbollist. Forma me të cilën luajti përballë nesh, në ndeshjen e 1.000, ishte thjesht e pakonceptueshme duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një 39-vjeçar. Tek Mançesteri ka pasur gjithmonë futbollistë të moshave të ndryshme dhe njerëz si Giggs apo Scholes përpara tij, janë një aset i mrekullueshëm, pasi ndihmojnë shumë për rritjen e të rinjve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA