Holanda rriti alarmin e rrezikut terrorist në vend, duke cituar shqetësimet se qytetarë holandezë, të zhvendosur për të luftuar në Siri, po rikthehen në vend më të radikalizuar.
Autoritetet rritën nivelin e rrezikut nga “i kufizuar”, në “të konsiderueshëm”, kategoria e dytë më e lartë e shprehjes së rrezikut.
Sipas autoriteteve, shihet me shqetësim një tendencë radikalizimi gjithmonë e më të madh midis holandezëve të rinj brenda vendit.
Ky është një moment në të cilin siguria në Holandë ka fituar një rëndësi parësore, pasi Princi i Kurorës, Willem-Alexander përgatitet që të marrë zyrtarisht fronin e mbretit në muajin maj.
Me qindra mijëra njerëz pritet të mbërrijë në ceremonitë e kalimit të kurorës nga mbretëresha Beatriks, tek djali i saj, duke ekspozuar turma të panumërta njerëzish ndaj rrezikut terrorist.
”Shanset për një sulm terrorist brenda Holandës apo ndaj shtetasve e interesave tanë jashtë vendit janë rritur”, pranoi koordinatori kombëtar për sigurinë dhe kundërterrorizmin, Dick Shoof.
”Një numër udhëtarësh xhihadistë janë kthyer dhe mund të kthehen në Holandë tepër të radikalizuar, të traumatizuar dhe me vendosmëri për akte dhune, çka përbën një rrezik të madh për vendin tonë”, shtoi ai.
Top Channel