Pronari i Formulës 1, Bernie Ecclestone, në një intervistë për faqen zyrtare të Formulës 1, konsideroi skuadrat e Red Bullit dhe Ferrarit si më të fortat në sezonin që do të nisë me garën e Australisë këtë të dielë.
Megjithatë, Ecclestone shprehu kuriozitetin e tij për të parë nivelin e Mercedes GP, pasi beson se me mbërritjen e Hamilton, skuadra gjermane mund të jetë me të vërtetë një kërcënim serioz për më të shpejtët.
“Përpara pak kohësh fola me drejtorin e Ferrarit, Stefano Domenicalin, i cili mbërriti në Londër për të më vizituar. Ai më tha që vazhdon të besojë se Red Bulli do të jetë skuadra për t’u mposhtur, por njëkohësisht edhe që ata do të jenë rivalët e tyre kryesorë”, komentoi bosi i F1.
“Megjithatë, si në çdo sezon, befasitë nuk mund të përajshtohen. Mercedesi është treguar shumë i shpejtë në provat e deritanishme dhe me Hamilton, kanë një vlerë të shtuar që mund t’i bëjë me të vërtetë të rrezikshëm”.
I pyetur për preferencat e tij, nëse do të dëshironte të kishte më shumë në skuadër Alonson apo Hamilton, Eccleston shmangu me zgjuarsi komentet: “Po të isha shefi ekzekutiv i një skuadre, me të vërtetë që do të zgjidhja më të lirin. Nuk mund të kesh preferencë midis dy pilotëve të shkëlqyer, prandaj më i liri do të bënte për skuadrën time”.
Top Channel