Buxheti i BE-së, vazhdojnë debatet

13/03/2013 15:30

Ndonëse drejtuesit e vendeve anëtare ranë dakord për shumën e përgjithshme të buxhetit të BE-së për periudhën 2014-20, debatet rinisën të ashpra ditën e mërkurë, mbi planin konkret të shpenzimeve dhe mekanizmat e tjerë të buxhetit.

Pasi në muajin shkurt u ra dakord për shkurtimin e përgjithshëm të buxhetit me 3,3%, eurodeputetët shpallën gjatë ditës një rezolutë, në të cilën shprehen se do të pranojnë buxhetin vetëm me disa kushte të caktuara.

Një prej kushteve kryesore është që të gjithë pagesat dhe investimet e buxhetit aktual të përfundohen brenda këtij viti, për të mos ndikuar në reduktimin e fondeve të 6-vjeçarit të ardhshëm.

Njëkohësisht, eurodeputetët kërkojnë një buxhet më fleksibël, në mënyrë që paratë e pashpenzuara në një fushë, të mund të kalohen lehtësisht në një tjetër nëse do të jetë nevoja.

Marrëveshja për buxhetin u arrit në një samit të liderve të shteteve në shkurt, pasi raundi i parë i bisedimeve në janar dështoi, si rrjedhojë e qëndrimeve të kundërta midis vendeve që kërkonin rritjen e financimit të BE-së dhe të tjerave që aktualisht po realizojnë shkurtime të dhimbshme në buxhetet e tyre kombëtare.

”Vota e sotme është një tregues i qartë se Parlamenti Europian ka pranuar përgjegjësitë që i ka dhënë traktati dhe po lufton për përmirësimin e buxhetit të BE-së”, deklaroi në Parlament lideri i eurosocialistëve, Hannes Swoboda.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA