Jose Mourinho do të largohet nga Real Madrid në qershor.
E bindur shprehet “AS”, e cila flet për një akord të arritur mes teknikut portugez dhe drejtuesve të klubit, për prishjen e kontratës në fund të sezonit, pavarësisht rezultateve të 2 muajve të fundit apo pak më shumë.
“Në La Liga janë ende 11 ndeshje për t’u luajtur, përpara largimit të Mourinho-s”, ishin fjalët e të përditshmes madrilene. Për momentin “Mou” nuk flet, por Chelsea ndodhet nën vëzhgim, sikur mezi pret ta rrëmbejë ish-in.
“Akordi, i cili duket se është fiksuar që në janar, do t’i japë fund eksperiencës në La Liga ish-trajnerit të Interit, edhe nëse sezoni përfundon me fitore, sigurisht që po, nëse dalin të humbur”, shton “AS”.
Mourinho ruan të njëjtën qetësi të zakonshme, por mbi të ardhmen e tij nuk dëshiron të shprehet: “Nga fundi i sezonit mungojnë 2 muaj e gjysmë, pastaj, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Deri atëherë do të jem unë lideri”, janë fjalët e “Special One”.
Ndërkohë që një lajm i bujshëm nga Parisi mund të ridizenjojë tërësisht gjeografinë e pankinave të mëdha në Europë. Klubi francez ka hedhur vështrimin drejt rumunit të Shakhtar Donetsk, Mircea Lucescu, që do largohet nga Ukraina në fund të sezonit.
Një ofertë 3-vjeçare prej 6 milionë eurosh në sezon, zor se mund të refuzohet nga tekniku rumun.
Ndërkohë, duke qenë se Mourinho ka në mendje vetëm një klub, apo “dashurinë” e parë “big” në Europë (pasi Porto ishte surprizë), Chelsea-n, do t’i hapej rruga Carlo Ancelotti-t për t’u transferuar në Madrid, si një nga kandidatët më seriozë për pankinën e Realit.
Top Channel