Barça, gati për përmbysjen e madhe

12/03/2013 00:00

Camp Nou do të përjetojë sonte në mbrëmje emocionet më të mëdha të viteve të fundit pasi Barcelona me yjet e saj do të kërkojë të përmbysë humbjen 2-0 të tre javëve më parë ndaj Milanit.

Përballë kuqezinjve ky do të jetë një mision shumë i vështirë, por mbrojtësi katalanas Pike është optimist dhe thekson se skuadra do t’i rikthehet lojës së mirë duke filluar që sonte: “Barcelona ka në përbërje futbollistë të talentuar dhe jemi të përgatitur psikologjikisht për të zhviluar një ndeshje të mirë. Nuk duhet të gjejmë asnjë justifikim për këtë përballje. Duhet të përdorim gjithçka për të fituar dhe kështu do tu japim një përgjigje të mirë kritikave të kohëve të fundit.”

Nga ana tjetër, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri u ka kërkuar lojtarëve të tij të ruajnë qetësinë në fushë: “Do të luajmë ndaj skuadrës më të mirë në botë dhe nëse arrijmë të kualifikohemi, do të hyjmë në histori. Jemi një skuadër e re dhe disa prej tyre nuk kanë eksperiencë në arenën ndërkombëtare, kështu që e vetmja mënyrë për të luajtur këtë përballje është duke ruajtur qetësinë.

Përveç Ballotelit, Allegri nuk do të ketë në dispozicion as sulmuesin tjetër Pazzini, i dëmtuar në fundjavë përballë Genoas.

Një tjetër sfidë interesante pritet të jetë dhe ajo mes Shalkes dhe Gallatasarajit. Barazimi 1-1 në Stamboll avantazhon më shumë skuadrën gjermane, por gjithsesi skuadra turke mbetet një kundërshtar i fortë pasi ka në përbërje emra të mëdhenj si Drogba apo Shnajder.  

Top Channel