Sondazhet për Papën e ri

11/03/2013 23:30

Afrikanët janë gati të kenë Papën e tyre. Një sondazh i kryer nga CNN, për të cilin u pyetën 22 mijë afrikanë, dëshmoi se më shumë se 80% e tyre besojnë se ka ardhur koha, që në krye të Vatikanit të jetë njëri nga Afrika.

Të paktën 86% janë të mendimit se ky përfaqësim do të rrisë mbështetjen për katolicizmin në këtë kontinent, ndërsa mbi 50% besojnë se Kisha Katolike do të bëhet edhe më konservatore.

Të pyeturit, nga mosha 13-19 vjeç, ishin më pak optimistë se Papa i ardhshëm do të jetë afrikan. Një prej pyetjeve të CNN-it ishte se, çfarë do të thotë zgjedhja e një Pape me ngjyrë për Afrikën dhe për vetë të intervistuarit.

Përgjigjet shprehnin pikëpamjet për rolin e Kishës në Afrikë, për besimin, homoseksualitetin dhe racizmin. “Një Papë afrikan do të sjellë më shumë bashkim në kontinent dhe do të rrisë besimin tek afrikanet, – tha një grua nga Zimbabve, ndërsa një i ri nigerian mendon se – do të çrrënjosë imoralitetet, siç janë martesat mes të njëjtit seks”.

Por ka dhe nga ata që mendojnë se një Papë afrikan nuk do të trajtohet njësoj, me ata që kanë mbajtur më parë këtë detyrë, pra ndikimi i tij nuk do të jetë i madh. Sondazhin e CNN e kreu kompania JANA, mes datave 7-11 Mars, përmes celularit, në 11 vende; Lesoto, Ruanda, Namibi, Tanzani, Zambia, Zimbabve, Ugandë, Afrikë e Jugut, Kenia, Ganë dhe Nigeri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA