Roshi në Policinë e Tiranës

11/03/2013 00:00

Një incident në fushën e sportit, rrezikon të kthehet në incident politik. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, u arrestua nga policia nën akuzën e kanosjes dhe goditjes për shkak të detyrës së trajnerit të ekipit të futbolit të Tiranës, Nevil Dede, si edhe “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësve të policisë”.

Roshi aktualisht ndodhet në qelitë e Drejtorisë së Policisë në pritje të masës së arrestit. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, forca të shumta policie e kanë sjellë kryebashkiakun kavajas në ambientet e Drejtorisë së Policise Qarku Tiranë, për arsye sigurie në ambientet e paraburgimit të komisariatit të Kavajës. Me anë të një deklarate për mediat, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë njoftoi se “u mor masa e arrestit ndaj Kryetarit të Bashkisë Kavajë, shtetasit Elvis Rroshi, 38 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet të ketë konsumuar tre vepra penale.”

Konflikti sipas saj ka ndodhur gjatë zhvillimit të ndeshjes së Superligës Besa-Tirana, ku shtetasi Elvis Rroshi dyshohet se  ka qëlluar trajnerin e Tiranës, shtetasin Nevil Dede, duke e kërcënuar këtë të fundit me jetën. Ndërkohë që policia njoftoi gjithashtu se në lidhje me këtë konflikt, i cili ka nisur gjatë përfundimit të pjesës së parë,  janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe 7 shtetas për konsumim  të veprave penale të “grumbullimit të paligjshëm”, “mosbindje ndaj punonjësve të policisë” si edhe “kundërshtim të punonjësve të policisë”. Nga shtatë të arrestuarit, katër prej tyre janë punonjës të Bashkisë, si edhe shefi i Policisë Bashkiake të po këtij qyteti.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë e shoqëruan Roshin, pasi ishin dërguar më herët në Kavajë për shkak të protestave që shkaktoi ndalimi i Elvis Roshit. Pas shoqërimit që policia vendase i bëri atij, tifozë të shumtë kavajas si edhe simpatizantë të kryebashkiakut rrethuan komisariatin duke kërkuar lirimin e tij. Situata e tensionuar është shtendosur vetëm pas dërgimit të forcave specialë në Kavajë, të cilët kanë shpërndarë turmën duke përdorur forcën.

Për disa minuta me radhë, pas zbritjes së forcave speciale në Kavajë, ka patur rezistencë nga tifozët, por më pas policia ka bërë të mundur shpërndarjen e tyre, si edhe duke e konsideruar tension mbajtjen në një nga dhomat e izolimit të Roshit në Kavajë, e kanë shoqëruar atë drejt Tiranës.

Avokati i zotit Roshi mohon kategorikisht të ketë patur dhunë nga ana e klientit të tij: “Forcat e policisë janë urdhëruar që kryetari i bashkisë të jetë i izoluar, madje edhe nga avokati i tij. Sipas ligjit, oficerët e policisë gjyqësore duhet të plotësojnë një akt për mbajtjen e një gjyqtari të thjeshtë dhe ky akt nuk është plotësuar dhe nuk është vënë në dijeni askush. Më e turpshmja është që ai nuk kontakton dot me avokatin e tij.”

Konflikti pretendohet të ketë nisur gjatë pushimit të ndeshjes Besa-Tirana. Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, ka deklaruar për Top Channel se është qëlluar në pushim të ndeshjes në korridorin e dhomave të zhveshjes nga kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe një person tjetër.

“Në atë moment po hyja në tunel për të shkuar tek dhomat e zhveshjes. Në momentin që kthehem pa arritur tek dhomat e zhveshjes, një grup prej 10-12 vetash, erdhi i pari kryetari i Bashkisë, goditi, pastaj goditi një tjetër, ndërsa pjesa tjetër shanin dhe kërcënonin”, deklaroi në telefon për Top Channel Nevil Dede.

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i kontaktuar nga Top Channel ndërsa ndodhej në komisariatin e Kavajës ka deklaruar se situata është acaruar pas ofendimeve të trajnerit të Tiranës në adresë të tifozerisë së Kavajës, por ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj teknikut bardheblu. Zoti Rroshi ka deklaruar se akuzat e hedhura ndaj tij se ai ka hyrë në dhomat e zhveshjes janë shpifje dhe aspak të vërteta: “Nuk ka patur fare, nuk e kam kërcënuar dhe s’kam pse e kërcënoj”, deklaroi kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi. 

Incidenti mbi të cilin është ngritur e gjithë kjo ngjarje, ndonëse ka ndodhur në pushim të ndeshjes, është marrë vesh vetëm pas përfundimit të saj. Pas takimit që përfundoi 2-1 me fitoren e kavajasve, trajneri i Tiranës ka bërë një kallzim penal për kryebashkiakun e këtij qyteti.

“Unë mbroj Tiranën dhe bëra kallëzim penal, përfaqësoj investimin dhe imazhin e këtij klubi, nuk ka të drejtë askush që të nëpërkëmbë imazhin e klubit”, tha Dede.

Rama: Nëse kryebashkiaku ka qëlluar, le të kërkoje ndjesë publike

“Polici për gjah politik” ky është titulli një komenti që edi Rama ka postuar në blogun e tij pas ndalimit nga policia të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi.

“S’ka pikë dyshimi se nëqoftëse Elvis Roshi, kryebashkiaku i Kavajes, është grindur me duar pas ndeshjes me Nevil Deden, trainerin e Tiranës, kjo është e pajustifikueshme. Një personi publik, aq më tepër një qytetari të parë, nuk i lejohet të sillet si një tifoz i dalë duarsh prej etheve të një ndeshjeje. Gjithnjë nëse kështu ka ndodhur, qytetari i parë i Kavajës duhet t’i kërkojë ndjesë publikisht skuadrës mike dhe vetë publikut”, Kështu e nis Edi Rama komentin për këtë ngjarje.

Më tej Edi Rama shkruan se është e patolerueshme sjellja brutale e policisë me kryebashkiakun e Kavajes. ‘Një dyndje trupash policore përfshirë edhe forcat speciale që u turrën masivisht nga Tirana drejt Kavajës, me një zell qe s’e tregojnë as kur krimi sharron me plumba komisarët. Reagim policor me epsh politik për të goditur publikisht një kundërshtar, i cili i është bërë hale në sy pushtetit qyshse përzuri me votën e popullit Sali Berishen nga bastioni i prapambetjes njezetvjeçare. Fakti që kryebashkiaku mbahet ende në polici thekson Rama  është vetëdiskreditues për qëllimin politik të këtij operacioni skandaloz. S’ka mundësi ta justifikosh Elvis Roshin nëse ka zbritur në dhomën e zhveshjes së skuadrës mike, për t’u kapur me Nevil Deden pas çfarëdo provokimi publik që mund të ketë bërë ky i fundit. Por është jashtëzakonisht e rëndë për shtetin e shoqërinë që lufta politike ta degjenerojë deri në këtë fare feje misionin dhe funksionin e Policisë së Shtetit’.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA